E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimi tronditës i nënës: Kishin një vit që abuzonin me djalin

E ëma e të miturit rrëfen ngjarjen. Pas dhunës seksuale, i mituri ka nisur një trajtim psikologjik, pasi gjendja e tij është rënduar.

Devoll Përdhunimi një javë më i parë i 12-vjeçarit nga dy të rinj, duket se është një histori rrënqethëse që ka nisur afro një vit më parë. Teksa familjarët e të dëmtuarit kanë dashur ta mbyllin historinë dramatike pa denoncimin e policisë, gjithçka duket se ka arritur kulmin, kur përdhunimi i radhës ka dëmtuar rëndë psikikën e fëmijës, i cili ka nisur të shfaqë probleme të mëdha pas kësaj. Ngjarja e rëndë është regjistruar një javë më parë në fshatin Bitinckë, në rrethin e Devollit, ku një 12-vjeçar është përdhunuar nga dy të rinj. Drama e të miturit rëndohet edhe më tepër kur zbardhen fakte shokuese, që tregojnë se 12-vjeçari është përdhunuar dhe 3 herë të tjera nga një prej agresorëve. Historia e pazakontë ka mbërritur një ditë më parë në komisariatin e Bilishtit në Devoll, nga nëna e të miturit e cila e alarmuar ka kërkuar ndihmën e bluve për këtë rast të përsëritur ndaj fëmijës së saj. Më pas, 12-vjeçari i është nënshtruar një ekspertize mjeko-ligjore në spitalin e Korçës, ku është transportuar nga forcat e policisë në praninë e nënës së tij. Mjeket ligjorë kanë konstatuar se me të miturin është abuzuar seksualisht. Menjëherë pas denoncimit, policia ka ndaluar dy të rinjtë, Eduard Bufi 19 vjeç dhe R. Mulla 16 vjeç, të dy banorë të fshatit Bitinckë. Sipas nënës së djalit, abuzimi i fundit me të birin një javë më parë, ka kaluar çdo mundësi heshtje. Megjithëse nëna e fëmijës fatkeq, i cili është duke u trajtuar nga një psikolog i posaçëm për fëmijë, ka menduar t’iu drejtohet sërish prindërve të fëmijëve, reagimi i tyre ka qenë brutal. Rëndimi i anës psikologjike të djalit ka nxitur gruan e mbetur e ve me 5 fëmijë pak kohë më parë, të shkojë në polici, ku pas hetimeve të para janë prangosur dy autorët e këtij përdhunimi. E ëma e 12-vjeçarit, A. Pajo, rrëfen arsyen se përse nuk kishte bërë më parë denoncimin.

Kur e keni mësuar përdhunimin e djalit?

Disa ditë më parë ka qenë hera e katërt, në harkun kohor të një viti, që ai bëhet pre e përdhunimit barbar, ku tre herët e para autor i këtij akti ka qenë 16-vjeçari R.M, me të cilin kanë edhe lidhje farefisnore.

Përse nuk e keni denoncuar më parë këtë ngjarje?

Tre herët e para nuk është kryer denoncim, pasi kam menduar që çështja të zgjidhej me ndërhyrjen e prindërve të djemve, të cilët i kam vënë në dijeni duke iu treguar gjithçka ka ndodhur. Kam menduar se rasti nuk do përsëritej. Me familjen e 16-vjeçarit kemi lidhje krushqie dhe thashë që do ta zgjidhnim mes familjesh. Por kjo gjë nuk ndodhi. Disa ditë më parë, djali erdhi sërish duke qarë në shtëpi. Dhe më tregoi se kishin ushtruar sërish dhunë ndaj tij, teksa ishin duke mbledhur qershi. Më tha që e kishin kapur për krahu dhe e kishin rrahur, i ka dhe shenjat në trup. Pastaj e kishin tërhequr zvarrë.

Po më pas, çfarë vendosët të bënit?

Pas asaj dite, djali ka qenë i shqetësuar dhe ka qenë me temperaturë. Prandaj vendosa që të shkoja te doktori për ta vizituar. Ai e pa që djali dhe ishte dhunuar seksualisht. Fill pas kësaj, shkova në polici dhe denoncova situatën e pazakontë.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›