Vrasja e Mirit të Xhikes, testi i ADN-së lehtëson Lavdërim Tufën
Tiranë Procesi i dytë gjyqësor ndaj Lavdërim Tufës, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e “Mirit të Xhikes” ka marrë dje një kthesë të papritur, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për fajësinë e tij. Dy ekspertë të caktuar nga gjykata për interpretimin e raportit të analizave të ADN-së së Lavdërim Tufës kanë paraqitur dje në gjykatë konkluzionet e tyre për këtë çështje. Ekspertët shqiptarë kanë deklaruar se në analizat e kryera në Itali, përputhshmëria e ADN-së së Tufës me fijen e flokut të gjetur në maskën që është përdorur nga autori i dyshuari i vrasjes është në masën 90 për qind. Pikërisht kjo masë përputhshmërie mes ADN-së së Tufës dhe provës së vetme që i ka dhënë atij burgimin e përjetshëm, mund t’i japë çështjes një tjetër drejtim. Kjo edhe për faktin se në procesin e parë gjyqësor, zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, përputhshmëria e ADN-së ka qenë në masën 96 për qind, çka tregon se raporti tashmë ka ndryshuar duke hedhur hije dyshimi për fajësinë e të akuzuarit për vrasjen e bujshme më 29 mars të vitit 2003. Në konkluzionin e tyre, duke iu referuar aktit të ekspertit italian, Renato Biondo, ekspertët kanë argumentuar se vlera 90 për qind e ekspertit italian përjashton profilin e ADN-së së Lavdërim Tufës si të njëjtë me individin 2, i cili është autori i dyshuar i vrasjes. I pyetur nga prokurori i çështjes, eksperti Grigor Zoraqi ka shpjeguar me detaje përputhshmërinë e ADN-së, e cila ka dalë nga krahasimi i provës së marrë në vendin e ngjarjes me atë të Lavdërim Tufës. Sipas Zoraqit, që 17 lokuse t’i përkasin të njëjtit profil AND-je, duhet që të gjitha këto elementë të përputhen me atë të Tufës. Sipas ekspertëve, edhe kjo masë afrimiteti është mjaftueshme kur përputhen, megjithatë llogaritet një probabilitet që t’i afrohet sa më shumë numrit të lokuseve që përputhen. “Do të na lejonit që të shpreheshim se kjo çështje që na u caktua për ekspertim, nuk ka lidhje vetëm me vlerësimin, nëse është apo nuk është shtetasi Lavdërim Tufa i njëjtë me individin 2, të identifikuar nëpërmjet analizës së ADN-së në provat e gjetura në ngjarjen e 29 marsit 2003. Kjo çështje ka lidhje më të gjerë, ka lidhje me përdorimin e metodave moderne të analizës së ADN-së, si kriter për të gjykuar nëse një person është i përfshirë apo jo në një krim” - tha eksperti para gjykatës. Ky interpretim i ekspertëve shqiptarë mbi raportin e hartuar nga eksperti italian hedh dyshime të shumta në se vërtet Lavdërim Tufa ka qenë në vendin e vrasjes mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2003, ku u vra Fatmir Rama dhe dy miq të tij. Ekspertiza e ADN-së është e dyta që bëhet për zbardhjen e kësaj ngjarje, edhe pse gjatë procesit të parë gjyqësor pati debate të shumta mbi masën e përputhshmërisë, e cila ishte 96 për qind. Pavarësisht këtij fakti, Lavdërim Tufa u shpall fajtor nga Gjykata për Krime të Rënda dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Dosja në ngarkim të tij u kthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila pasi shqyrtoi pretendimet e mbrojtjes arriti në konkluzionin se Krimet e Rënda nuk kanë qenë kompetente për gjykimin e kësaj çështjeje. Prej muajit dhjetor të vitit 2009, dosja ndaj Tufës po shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës, e cila ka urdhëruar edhe ekspertimin e ADN-së së të pandehurit në Itali, për të provuar shkencërisht nëse Lavdërim Tufa ka qenë ose jo pjesëmarrës në masakrën e Kartodromit, ku mbetën të vrarë Fatmir Rama, Julian Durishti dhe Kristaq Cami.