Lezhë, arrestohen për vjedhje dy persona

Policia e Lezhës ka bërë të mundur arrestimin e dy personave të akuzuar për vjedhje. Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar 30-vjeçari Alfred Nikolli dhe 17-vjeçari me inicialet E.V.
Arrestimi i tyre u bë për arsye se këta persona u kapën në flagrancë për veprën penale të vjedhjes pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje disa banesa dhe po punohet për zbardhjen e disa vjedhjeve të tjera të cilat dyshohet se këta shtetas janë autorë.
Gjithashtu policia në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar edhe një automjet tip "Volsvagen Polo" me targa të huaja AF 281 WV së bashku me dokumentacionin e tij, 1 thes të mbushur me tel bakri të zhveshur me fije, 1 kokë dushi, 1 boljerë dushi, 1 lavatriçe, 1 televizor 20 polësh, 1 palë pinca të gjata me dy krahë, 2 hekur hekurosje, 1 saldatriçe, 1 gjenerator, 1 armë gjahu automatike dhe një radio kineze.
Ndërkohë materialet në ngarkim të dy të arrestuarve i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale të "Vjedhjes së kryer në bashkëpunim" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve sportive dhe gjuetisë".