E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen te kombësia e tyre shqiptare 72 leskoviqarë

17/02/2011  U “ndërruan” në grekë në 2008-ën, korrigjohet. Dënohet me gjobë e burg punonjësi i gjykatës

KOLONJE- Banorë të qytetit të Leskovikut në rrethin e Kolonjës, të cilët e kishin ndërruar kombësinë e tyre nga shqiptarë në grekë, gjë që e kishin realizuar përmes manipulimeve flagrante, iu rikthyen sërish kombësisë së tyre.

Ndërrimi i kombësisë

Nga burime pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Korçë u bë e ditur se 72 shtetasit kishin mundur të ndërronin kombësinë e tyre, falë një punonjësi të gjendjes civile në Leskovik, i cili para se të respektonte ligjet dhe rregullat e shtetit shqiptar, kishte preferuar ta merrte këtë nismë antiligjore falë përfitimeve monetare që ai siguronte nëpërmjet manipulimeve të tilla. Ndërkohë është vërtetuar tërësisht, se 72 banorët e qytetit të Leskovikut, kishin kërkuar ndërrimin e kombësisë, sepse përmes manipulimeve të tilla të pandershme ata mund të përfitonin një emigrim në Greqi ose përfitime financiare, si pensione etj. Sot, kur 72 banorë të Leskovikut i janë kthyer origjinës së tyre, mjaft prej tyre kanë mbetur të kënaqur nga ky akt, sepse edhe pas ndërrimit të kombësisë, përveçse nuk kishin përfituar asgjë, më së shumti kishim mbetur të zhgënjyer nga gjithë kjo sakrificë që kishin bërë. Veç kësaj shumë prej tyre mundën ti heqin njollën qytetit të Leskovikut, i cili është një nga qytetet më të vjetra të këtij rajoni, madje një nga vendbanimet më të hershme të historisë së këtij vendi. Ndoshta për herë të parë banorët e qytetit të Leskovikut ndihen krenarë për vetëdijen e tyre, por vetëm falë ligjit që i ndihmoi për të dalë nga ky mashtrim i turpshëm. Megjithatë, në këtë rast duhet theksuar fakti se atje ku drejtësia bën punën e saj, gjithçka është e mundshme që të ndreqet. Për këtë arsye, vlen të vihet në dukje fakti se ka qenë ndoshta vetëm gjykata e rrethit gjyqësor Korçë, që këtë lloj manipulimi ta ndëshkojë që në nismën e saj dhe manipuluesi i dokumenteve të gjendjes civile të ndëshkohet ashtu siç ishte parashikuar nga ligji. Falsifikatori i kombësisë u dënua me 5 vjet heqje lirie dhe me një gjobë prej 5 milionë lekësh. Burimet zyrtare pohuan gjithashtu se ndërrimi i kombësisë kishte ndodhur gjatë vitit 2008. Megjithatë, pas daljes në skenë të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kjo çështje do të hynte tërësisht në udhën e ligjit, gjë që do të thotë një parandalim i nëpërkëmbjes së shqiptarëve. Sipas banorëve të Leskovikut, rikthimi te respektimi i ligjit mund të kishte ndodhur edhe më parë, pasi kishte pasur edhe njerëz pa arsimin e nevojshëm, kishte pasur njerëz pa mundësi financiare, ekzistojnë njerëz të tjerë të vobektë, të cilët nuk kishin qenë asnjëherë të ndërgjegjshëm për atë që po bënin. Madje ata që kanë qenë të përzënë nga greku që nga vitet 1916 dhe më parë, janë ndjerë më se të lumturuar për rikthimin e identitetit të shqiptarëve, sepse ishin të ndërgjegjshëm që persona të ndryshëm apo qarqe të caktuara kishin mundur ti mashtronin për një kothere bukë. Tashmë me sa duket Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ai i Ministrisë së Drejtësisë do të verifikojnë gjithçka që ka ndodhur përmes falsifikimeve dhe manipulimeve.

SARANDË/ Intervistë me kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës, Alltun Çela

Ligji për gjendjen civile bie ndesh

me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane

SARANDË - Kryetari i gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, i kërkoi të hënën Gjykatës Kushtetuese, me një padi tetë faqe, të shfuqizojë ligjin për ndryshimin e kombësisë. Në një intervistë zoti Çela argumenton kërkesën e tij dhe flet për rastet e ndryshimit të kombësisë në rrethin e Sarandës.

Zoti Çela, ku qëndron thelbi i kërkesës suaj, drejtuar Gjykatës Kushtetuese?

Qysh në krye të debatit që ka nisur për ndryshimin e kombësive, unë jam shprehur se mjaft prej konvertimeve të shqiptarëve në grekë, duke përdorur gjykatat, të paktën në Sarandë, nuk janë lejuar të jenë abuzive.

Çfarë ju bën të mendoni kështu për Sarandën, përveç faktit që jeni të ndikuar për shkak të pozicionit që mbani si kryetar i saj?

Jo, nuk duhet menduar se merita është e imja apo e pozicionit që unë ushtroj, por e gjithë stafit të gjyqtarëve. Kjo shprehet edhe në statistikat që gjenden në Sarandë me ndryshimet me vendim gjykate të kombësisë nga shqiptare në grekë. Fakti që në 10 vjet janë dhënë vetëm 200 vendime të tilla, është një tregues real i ndaljes së abuzivizmit në këtë fushë, me gjithë presionet që nuk kanë qenë të pakta.

Atëherë ku është shqetësimi?

Shqetësimi është tek vetë ligji. Vërtet këto ndryshime janë bërë duke u bazuar në ligj dhe në zbatim të tij, por vetë ligji është antikushtetues dhe i papajtueshëm me Kushtetutën, që është ligji themelor. 

Ku e shikoni këtë mospërputhje dhe pakushtetueshmëri?

Është fjala për nenin 58, pika 7, të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 "Për gjendjen civile". Në të sanksionohet se "ndryshimi i kombësisë bëhet vetëm me vendim gjyqësor, duke u thirrur në çdo rast, si palë në proces, shërbimi i gjendjes civile, edhe kur kombësia ka qenë caktuar përkohësisht ose kur është bërë gabim material". Pikërisht ky nen bie ndesh me Kushtetutën në formulimin e tij, i cili u ka hapur rrugë konvertimeve të vërejtura vitet e fundit, duke tjetërsuar  kombësinë nga shqiptare në greke të disa shtetasve, sidomos në jug të vendit. Në raport me të drejtat kushtetuese ky ligj është kundërshtues me të e madje në përplasje e mospajtim të hapur edhe me konventën evropiane.

Pse e bëtë publik pikërisht tani këtë qëndrim tuajin për këtë ligj?

Unë jam jurist dhe ndërgjegjja profesionale ngacmohet edhe kur analiza që u bën rasteve ekstreme, të ballafaqon me abuzivizmin ekstrem edhe brenda sistemit të drejtësisë. Kam dy raste të këtij qëndrimi jo vetëm të pabazuar ligjërisht, por revoltues, që kanë mbajtur nivele më të larta të gjykatave, përtej vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës. Në një rast ka qenë Gjykata e Apelit në Gjirokastër që në mënyrë absurde ka ndryshuar vendimin e gjykatës së Sarandës, duke i dhënë kombësinë greke motrës dhe duke qëndruar ekzigjente vetëm për rastin e vëllait, nga prindër të njëjtë. Në një rast të dytë vendimi ynë dhe i Gjykatës së Apelit në Gjirokastër është prishur nga Gjykata e Lartë, duke i dhënë një personi kombësi greke për mua të pabazuar në dokumente. 

Si e mendoni daljen nga ky ngërç që përjeton aktualisht gjyqësori?

Në thelb kërkesa ime është një apel i qartë për të shfuqizuar ligjin për ndryshimin e kombësisë. Ka qenë kjo edhe kërkesa ime, në pozicionin e kreut të gjykatës së Sarandës, drejtuar Gjykatës Kushtetuese mbrëmjen e të hënës. Argumenti bazë ku mbështetet kjo kërkesë është se në vlerësimin tim ligji ekzistues i gjendjes civile përmban elemente që bien ndesh me Kushtetutën dhe vjen në kundërshtim edhe me Konventën Evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›