E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, grabiten e digjen zyrat e fabrikës së tullave

ZJARRVËNIA/ Ndërsa janë shuar flakët e zjarrit, policia ka arritur të vërë në pranga dy autorët e grabitjes

LEZHË – Grabisin paratë dhe më pas, për të fshehur gjurmët, i vënë flakën. Ngjarja ka ndodhur në zyrat e fabrikës së tullave në rrugën e Kallmetit në Lezhë, e cila në orët e para të mëngjesit të djeshëm është gjendur e përfshirë nga flakët. Rojet e fabrikës kanë njoftuar zjarrfikësit menjëherë sapo kanë konstatuar praninë e zjarrit, ndërsa pas shuarjes së flakëve është zbuluar se më parë në zyrat e fabrikës kishte ndodhur një grabitje. Ka qenë ora 4 e mëngjesit kur roja ka lajmëruar eprorët e tij për një zjarr të rënë në zyrat e fabrikës. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka dërguar në vendngjarje zjarrfikësit, të cilët në pak minuta kanë shuar flakët e zjarrit. Gjatë kryerjes së punës, punonjësit zjarrfikës kanë vërejtur thyerjen e dyerve dhe të kasafortës që ndodhej brenda ambienteve të zyrave. Për këtë ngjarjë ata kanë lajmëruar policinë, e cila ka nisur hetimet. Pasi kanë parë vendngjarjen, është vërtetuar deklarata e punonjësve të zjarrfikësve. Drejtuesit e fabrikës kanë deklaruar para ekspertëve të policisë se në kasafortë gjendej një shumë prej 4 milionë lekësh të reja, të cilat, sipas tyre, ishin marrë, ndaj edhe zjarrvënia është parë si qëllim për mbulimin e gjurmëve. Roja i ambientit ka deklaruar se nuk kishte dëgjuar asnjë zhurmë gjatë vjedhjes që ishte kryer dhe vetëm kur ka parë flakët e zjarrit ka lajmëruar përgjegjësit. Sipas disa të dhënave, grabitësit kanë qenë të informuar me saktësi për vendndodhjen e parave, pasi gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Ata kanë qenë në dijeni edhe të lëvizjeve të rojes së fabrikës, ndaj kanë mundur të kryejnë çdo veprim pa rënë në sy. Fillimisht kanë depërtuar pranë zyrave që gjenden vetëm pak metra larg fabrikës dhe, pasi kanë thyer derën kryesore të saj, kanë çarë kasafortën dhe kanë marrë që aty edhe shumën e parave. Ata kanë përfituar edhe nga koha e keqe dhe me vetëtima për të kryer këtë vjedhje. Mbrëmë në orët e vona policia vuri në pranga Gjergj Ndokën dhe Jak Pepën, të cilët akuzohen për kryerjen e grabitjes. Pas kontrollit në banesat e tyre policia zbuloi 5 mijë euro në shtëpinë e Pepës, ndërsa mungojnë ende 30 mijë euro të tjera. Nga ana e policisë nuk u bë e ditur se si u arrit zbulimi i dy autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›