Xhelozia, 35-vjeçari ther gruan me thikë
ELBASAN – Tenton të vrasë gruan për shkak të xhelozisë dhe më pas, teksa mendon se i ka dhënë fund jetës së saj, vendos të vrasë edhe veten duke u vetëqëlluar me thikë. Çifti ka përfunduar në spital, ku mësohet se vazhdojnë të jenë nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekëve, por 30-vjeçarja është në një gjendje shumë të rëndë për shkak të plagëve të shumta të marra në të gjithë trupin nga bashkëshorti i saj. Policia e Elbasanit vazhdon të qëndrojë në ambientet e spitalit të Elbasanit, ndërsa mjekët mbajnë nën vëzhgim çiftin bashkëshortor
Ngjarja
Paraditen e djeshme, Mentor Osmani, 35 vjeç, ka qëlluar disa herë me thikë bashkëshorten e tij, Burbuqe Osmani, 30 vjeç, dhe më pas ka tentuar të vrasë edhe veten. Çifti ka qenë i vetëm në shtëpi pasi fëmijët ndodheshin në shkollë. Mësohet se mes bashkëshortëve ka plasur një sherr për motive xhelozie. Në grindje e sipër, Mentori ka rrëmbyer thikën e bukës dhe ka qëlluar disa herë bashkëshorten. Pasi është siguruar se e kishte vrarë, ai ka qëlluar disa herë edhe veten. Zhurmat dhe klithmat kanë tërhequr vëmendjen e fqinjëve, të cilët kanë gjetur pa ndjenja çiftin Osmani. Bashkëshortët janë dërguar në spitalin kirurgjik dhe i janë nënshtruar ndihmës mjekësore. Sipas mjekëve, ata ndodhen në gjendje të rëndë për jetën. Në vendngjarje ka shkuar policia dhe një grup hetimor.
Hetimi
Oficerët e policisë të mbërritur në vendngjarje janë munduar që të ndërtojnë edhe një herë skenën e ngjarjes. Ata kanë bllokuar në cilësinë e provës thikën me të cilën Mentor Osmani ka qëlluargruan dhe veten. Nga të dhënat e para hetimore rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie. Mes çiftit dyshohet se ka pasur grindje të vazhdueshme, e cila më në fund është “zgjidhur” në mënyrëtragjike. Por, ndërkaq, nga ana e familjarëve të vetë 35-vjeçarit nuk pranohen problemet apo xhelozitë mes çifiti. Mësohet se ata kanë deklaruar se burrë e grua kanë pasur një marrëdhënie të mirë dhe para të tjerëve nuk janë shfaqur problematikë. Megjithatë, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e çështjes, ndërsa Burbuqe Osmani, e qëlluar shumë herë me thikë në të gjithë trupin nga bashkëshorti i saj ndodhet në reanimacion nën efektin e qetësuesve për shkak të gjendjes së rëndë. I shoqi është po në reanimacion, por në një gjendje më të mirë dhe për shkak të plagëve jo të shumta që i ka shkaktuar vetes.