Trafiku i drogës në SHBA, pranga në Shkodër dy vëllezërve
SHKODËR - Polica e Shkodrës ka vënë në pranga dy vëllezër të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik lëndësh narkotike të kryer në bashkëpunim. Fatbardh Shtiza, 36 vjeç, dhe Verjon Shtiza, 30 vjeç, janë ndaluar nga policia e Shkodrës për llogari të gjykatës distriktuale të Nju Xhersit në SHBA. Dy vëllezërit nga Shkodra janë ndaluar pasi nga gjykata amerikane ishte caktuar për ta masë sigurie me “arrest në burg” në mungesë. Ata janë shtetas të lindur e banues në Shkodër, por qe prej disa vitesh kanë emigruar në SHBA dhe kanë pasaportë amerikane. Njëri prej tyre është kapur në një lokal lojërash fati tek Dugajët e Reja në qytetin e Shkodrës, lokal në pronësi të tyre, ndërsa tjetri është kapur në banesë. Dy shkodranët që akuzohen nga drejtësia e SHBA-së për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, aktivitet të cilin duket se e kanë kryer në Nju Xhersi, në bashkëpunim me shtetas tjerë të këtij vendi. Mësohet se ata lëviznin vazhdimisht nga SHBA-ja në Shkodër, dhe aktualisht ndodheshin në qytetin e tyre të lindjes. Sipas policisë së Shkodrës, është vepruar në bazë të procedurave përkatëse të ardhura nga SHBA , ku kërkohet ndalimi i dy vëllezërve Shtiza dhe ekstradimi i tyre.