E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, ndjekje penale dy zyrtarëve të burgut

Shefi i edukimit dhe edukatori përgjegjës akuzohen për shpërdorim detyre për rastin e të arratisurit Spartak Alia

Dy zyrtarë të Burgut të Shënkollit në Lezhë janë dërguar për ndjekje penale nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Bëhet fjalë për shefin e edukimit në këtë burg, Sejfulla Shehu, dhe edukatorin Pjetër Leka, të cilët dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën për rastin e Spartak Alisë, të cilit iu dha leje për të dalë nga burgu dhe më pas nuk u kthye më, derisa u kap nga policia. Sipas të dhënave nga prokuroria, dosja e tyre është hetuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në burgje dhe i ka nxjerrë me shkelje procedurash gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas të dhënave, Spartak Alia, i cili është dënuar për grabitje me armë, ishte kapur një ditë me celular në burg. Për këtë arsye, ai është dërguar në izolim dhe ka dalë që aty vetëm tri ditë para se të merrte lejen për të shkuar pranë familjes. Shehu dhe Leka i kanë dërguar drejtorit të burgut kërkesën për t’i dhënë leje, vetëm 72 orë pas daljes nga izolimi, por kjo bie në kundërshtim me rregulloren. Sipas të dhënave, të burgosurit që janë futur në izolim nuk lejohen të marrin leje deri në gjashtë muaj, pasi kanë dalë nga aty. Por, edukatori përgjegjës i Alisë, Pjetër Leka, dhe shefi i edukimit, Sejfulla Shehu, kanë shkruar në dosjen e tij se ai ishte shembullor dhe që nuk kishte kryer ndonjë shkelje. Duke u nisur nga kjo, drejtori ka miratuar lejen. Hetimet janë kryer, pasi Alia ka marrë lejen dhe nuk është kthyer në afatin e përcaktuar. Por, ai u kap disa net më parë në Tiranë, në një banesë te disa të afërm të tij në rrugën “Bardhyl”. Sipas dosjes penale në ngarkim të tij, atij i kanë mbetur edhe 18 muaj burg për të mbaruar dënimin, por do t’i shtohet edhe arratisja nga burgu. Në dosjen e tij deklarohet se në vitin 2006, ai, në bashkëpunim me një vajzë dhe një djalë tjetër të ri kanë grabitur me armë një taksist. Sipas të dhënave, Silvi Bajrami, 21 vjeçe nga Tirana, dënuar më parë për falsifikim, Spartak Alia, 21 vjeç nga Shkodra, dënuar më parë për vjedhje dhe vrasje të mbetur në tentativë, si dhe 17-vjeçari nga Tirana, Imer Huti, më 18 tetor të vitit 2006, rreth orës 16:00 marrin 62-vjeçarin Llazi Balluci, për taksist dhe në periferi të Tiranës, me një thikë e litar lidhin viktimën e tyre. Më pas i grabisin “Benzin” dhe zhduken për të rënë në pranga një ditë më vonë, kur mjeti u gjet i braktisur në qytetin e Lezhës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›