E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, një i vdekur nga shkëmbimi i zjarrit

Sipas informacioneve të para, nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vdekur një 25-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Viktima ndodhej brenda një automjeti tip Benz me targa TR 7870 R. Burime pranë policisë bëjnë me dije se makina me targa të Tiranës është vënë në ndjekje, pasi në të ndodheshin dy persona të identifikuar si grabitësit e shtetasve malazezë para disa ditësh në Lezhë.

Forcat e policisë provuan të ndalojnë makinën në një postbllok, por të rinjtë nuk iu përgjigjën thirrjes duke përplasur motorin e njërit prej policëve. Për pasojë, ka mbetur i plagosur efektivi i policisë Dritan Loreci, 40 vjeç, i cili është dërguar menjëherë në spitalin rajonal.

Më pas policia ka ndjekur makinën nga Lezha deri në fshatin Balldre, ku ka ndodhur edhe një shkëmbim zjarri me të rinjtë. Personat e kerkuar kanë braktisur mjetin në thellësi të fshatit ndërsa brenda makinës është gjetur i vdekur një 25-vjeçar, ende i paidentifikuar.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forca të shumta policore, të cilat kanë filluar aksionin për kapjen e personave të larguar. Disa ditë më parë tre shtetas nga Mali i Zi ranë pre e një grabitjeje me maska në një lokal në hyrje të autostradës Lezhë-Shkodër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›