Peshkopi, largësia bllokon numërimin
PESHKOPI – Largësia e qendrave të votimit me ato të numërimit të votave ka bërë që rreth orës 02:00 në Peshkopi të mos niste procesi i numërimit të votave. Rreth 50 % ishte pjesëmarrja e votuesve në qarkun e Dibrës. Në këtë qark ishin caktuar 318 qendra votimi për rreth 130 mijë zgjedhës, po njëra prej tyre nuk u hap fare ditën e djeshme, ndërsa një tjetër vetëm rreth mesditës. Mbrëmjen e së shtunës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur ndryshimin e qendrës së votimit të fshatit Zallë-Shoshaj në komunën e Lisit. Komisionerët e opozitës në këtë qendër votimi nuk kanë pranuar të vendosin materialet zgjedhore në një objekt të abandonuar, pa dyer e dritare. Komisionerët “rivalë” kanë replikuar, madje është tentuar dhunimi i operatorit të shtabit elektoral të PS-së. Edhe KZAZ nr.6 ka kërkuar miratimin e një qendre tjetër votimi. Pikërisht në këtë fshat, në orët e mesnatës, drejtues të PBDNJ-së dhe mbështetës të kësaj partie kanë bllokuar rrugën me mjete të ndryshme, madje edhe traktorë, që të çon në fshatin Mallunxë dhe Kumia e Tullave. Kjo, sipas tyre, bëhej për të bllokuar dërgimin e miellit e sendeve të tjera te votuesit e këtyre qendrave të votimit. Ashtu si në rrethet e tjera të vendit, edhe në Qarkun e Dibrës, ka munguar mëngjesin e djeshëm boja për vulat. Rreth orës 08:30 në QV nr.0935 shkolla “Pedagogjike” Burrel është konstatuar se ishte privuar fshehtësia e votës, pasi dhoma e fshehtë ishte vendosur në mënyrë të atillë që komisionerët të dallonin për cilin subjekt votonin zgjedhësit. Rreth 200 zgjedhës të fshatit Mustafe në komunën e Arrasit në rrethin e Dibrës nuk kanë votuar deri rreth orës 12:00, për shkak të komisionerëve, por më pas qendra e votimit është hapur. Qendra e votimit në fshatin Ilnicë të komunës së Melanit nuk është hapur fare ditën e djeshme, pasi fshati ka vendosur t’i bojkotojë këto zgjedhje, me pretendimet se kërkesat e tyre ekonomike nuk janë zgjidhur. h.p