E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Qendrimi bllokues i Rames i paprecedente

Berisha në PPE Qëndrimi bllokues i Ramës, i paprecedentë, kryeministri u ndal te reformat e ntegrimit
Përveç shqetësimit për rimëkëmbjen ekonomike në Bashkimin Europian, takimi i partive popullore europiane është ndalur edhe në proçesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit. Në këtë kontekst, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është ndalur te panorama e reformave të integrimit në Shqipëri. Ai i ka njohur liderët e djathtë me hapat që po bëhen për zbatimin e 12 rekomandimeve tê Komisionit Europian, duke konsideruar se, zvarritja aktuale është një bllokim i momentit dhe që shpresohet të kapërcehet:
“Unë sjell këtu të gjitha të vërtetat e zhvillimeve në Shqipëri dhe i përmbahem tezës se; ky duhet të jetë veçse një proces i merituar. Natyrisht, besoj se është e qartë dhe nuk di ndonjë njeri në familjen e Partive Popullore Evropiane që të mos ketë kuptuar me kohë se, njeriu që bërtet është edhe ai që vetbllokon. Kjo tani është evidente. Por përsëri ka pasur një progres. Ka një qëndrim momental, i lidhur me siguri me zhvillimet e kësaj jave në Bruksel, pasi ka një përqendrim të veçantë mbi reformat në Ballkanin Perëndimor dhe ecurinë e tyre. Le të shohim se çfarë qëndrimesh do të mbajnë. Qëndrimi bllokator i tij është tashmë i njohur, jo vetëm nga qendra e djathtë, por nga të gjitha rrymat politike të Evropës”-deklaroi kryeministi
Sipas kryeministrit Sali Berisha, përfundimi i reformës zgjedhore do të duhej të merrte 6 javë, duke konsideruar ekspertizën e çmuar të ODHIR-it dhe Komisionit të Venecias, nuk ka arsye pse kjo reformë të shtyhet më, pasi tê gjitha elementët janë në tryezë:
“Mund t’u them se, me vullnet të përbashkët, mund të bëhet edhe për 4 deri 6 javë, sepse ne kemi bërë të gjitha lëshimet e duhura. A e dini ju që për adresimin e rekomandimeve të ODIHR ne i kemi njohur PS-së pothuajse ekskluzivitetin e paraqitjes së amendamenteve. Natyrisht, tryezë nuk do të thotë diktat, do të thotë arsyetim dhe mirëkuptim. Ky proces nuk ka asnjë vështirësi, sepse rekomandimet janë të qarta. Në rast se dikush, për ta bllokuar atë, sjell gjëra që nuk janë rekomanduar kurrë, apo e militarizon siç e keni marrë vesh dhe ju, kjo është tjetër gjë.. Por, megjithatë ne mbetemi të vendosur, të hapur, të punojmë me intensitet, me besim të plotë, me institucionet ndërkombëtare, për ta kompletuar atë sa më shpejt”-theksoi Berisha
Në kontekstin e përpjekjeve për stimulimin e rritjes ekonomike në Europë, kryeministri shqiptar ka kërkuar gjithashtu nga Banka Qëndrore Europiane që të tregohet më e vëmendshme me kreditimin e bankave bija të bankave prezente në territorin e Unionit.
Kryeministri ka folur në takimin e partive popullore europiane edhe mbi rëndësinë e 2 marrëveshjeve të arritura së fundmi midis Kosovës dhe Serbisë, duke përshëndetur dhënien e statusit tê kandidatit Serbisë dhe fillimit të proçesit të MSA me studimin e fizibilitetit për Kosovën. Por ai i ka tërhequr vêmendjen e liderëve të djathtë për çmontimin e strukturave paralalele serbe në Veri të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›