Dërgohen në gjyq 5 trafikantët e klandestinëve
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur fazën hetimore ndaj pesë të pandehurve që organizuan trafikun e klandestinëve nga Shqipëria drejt Greqisë kundrejt pagesave të ndryshme. Ata akuzohen se gjatë muajve prill-maj-qershor-korrik organizuan kalimin e paligjshëm të klandestinëve drejt Greqisë në pesë raste duke tentuar të kalojnë 72 persona të moshave të ndryshme. Sipas kërkesës për gjykim që “Shekulli” ka arritur të sigurojë një kopje, organizatorë të këtij rrjeti trafikantësh ishin shtetasit Resul Çela dhe Pëllumb Guri, ky i fundit i njohur ndryshe si “sakati”, pseudonim ky i marrë ngaqë është i sëmurë paraplegjik në karrocë me rrota.
“Të pandehurit Pëllumb Guri, Resul Çela, Irfan Dalipaj, Bardhi Proda dhe Nino Tushe, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprat penale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhekryerjes së veprave nga grupi i strukturuar kriminal në bashkëpunim. Konsumimi i këtyre veprave penale është provuar gjatë fazës hetimore pesë mujore, ku janë mbledhur një sërë provash materiale të pakontestuara as nga vetë të pandehurit, siç janë regjistrime të bisedave telefonike, fotografi gjatë rrugëtimit të klandestinëve dhe pamje filmike të regjistruara nga skuadra vëzhgimi në terren si dhe shpjegime të klandestinëve të arrestuar në momentin e kalimit të kufirit nga Shqipëria për në Greqi. Të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe role të ndryshme në vijim të aktivitetit kriminal me qëllim realizimin e kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror te shtetasve shqiptarë të cilët nuk ishin të pajisur me dokumentacion, bashkëpunonin dhe me persona nga rrethe të tjera të Shqipërisë kryesisht në rrethet e Gjirokastër dhe Sarandës. Ata zhvillonin aktivitetin kriminal duke gjetur dhe rekrutuar persona të interesuar për të emigruar në mënyrë të paligjshme në Greqi kundrejt pagesave që varionin nga 500 euro deri në 1500 euro për person”,- thuhet ndër të tjera në kërkesën për gjykim që mban numrin e procedimit penale 27 të vitit 2008. Sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit duke përdorur njohjet që kishin në qytete ku banonin me persona të ndryshëm organizonin gjetjen e personave që dëshironin të iknin në Greqi në mënyrë të paligjshme. “Të pandehurit Guri, Çela, Dalipaj, Proda dhe Tushe për një afat kohore të datës 5 prill e deri më datë 25 maj kanë tentuar në pesë raste të kalojnë gjithsej 72 persona, në mesin e tyre fëmijë, të mitur, gra dhe burra, të cilët kundrejt pagesave që varijonin nga 500 euro deri në 1500 euro. Transporti i këtyre klandestinëve kryhej me makina të ndryshme, si autobusë të linjave, furgonë, taksi e deri te makinat private që të gjitha në kuadër të pagesave të ndryshme nga vetë organizatorët, të cilët në disa raste i kanë gjetur edhe vende për të fjetur në qytetet e Sarandës, Gjirokastrës e në Konispol deri në nisjen e tyre”,-thuhet në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokuror Ardian Nezha. Arrestimi i të pandehurve u krye më 20 korrik 2008 në operacionin e policisë të koduar “Butrinti”. TË AKUZUARIT
Pëllumb Guri, 35 vjeç, nga Lushnja, invalid i krasit të parë, është cilësuar si organizatori i këtij rrjeti, ku në bashkëpunim me Bardhi Prodën dhe Irfan Dalipaj, Resul Çelën dhe Nino Tushe ka organizuar nisjen për në Greqi të 72 shtetasve shqiptarë, duke filluar që nga data 5, 6, 7 prill të këtij viti, kujanë arrestuar gjatë tentimit të kalimit të kufirit në mënyrë të paligjshme për në Greqi 13 persona. Në rastin e datës 27, 28 prill ku janë nisur për në Greqi 17 persona. Në rastin e datës 5,6,7, 8 maj, ku është organizuar për dërgimin në Greqi të 15 personave. Në datën 17,18,19 maj në dërgimin e 14 personave dhe në rastin e fundit të datës 24, 25 maj të këtij, viti ku tentuan të kalojnë në Greqi 13 persona.
Resul Çela, 42 vjeç, nga Lushnja, është cilësuar si krahu i djathtë i Gurit, ku në bashkëpunim me Bardhi Prodën dhe Irfan Dalipaj ka marrë pjesë në organizimin dhe nisjen e 72 shtetasve nga Shqipëria në Greqi, duke filluar që nga data 5, 6, 7 prill të këtij viti në tentimin e 13 personave për kalim të paligjshëm të kufirit. Në rastin e datës 27, 28 prill ku janë nisur për në Greqi 17 persona. Në rastin e datës 5,6,7, 8 maj, në organizimin për dërgimin në Greqi të 15 personave. Në datën 17,18,19 maj në dërgimin e 14 personave dhe në rastin e fundit të datës 24, 25 maj të këtij viti ku tentuan të kalojnë në Greqi 13 persona.
Bardhi Proda, 38 vjeç, nga Saranda, në bashkëpunim me të arrestuarin Resul Çela, Irfan Dalipaj dhe Pëllumb Guri ka organizuar në kalimin e paligjshëm të kufirit por që kanë mbetur në tentativë të 13 personave në datën 5, 6, 7 prill të këtij viti. Në rast e datës 5,6,7, 8 maj, ku është organizuar për dërgimin në Greqi të 15 personave.
Irfan Dalipaj, 47 vjeç, nga Tirana në bashkëpunim me të arrestuarin Resul Çela, Bardhi Proda dhe Pëllumb Guri ka organizuarkalimin e paligjshëm të kufirit por që ka mbetur në tentativë të 13 personave në datën 5, 6, 7 prill të këtij viti. Në rast e datës 5,6,7, 8 maj, ku është organizuar për dërgimin në Greqi të 15 personave.
Nino Tushe, 38 vjeç, nga Gjirokastra në bashkëpunim me të arrestuarin Pëllumb Gurin, Irfan Dalipaj dhe Resul Çelën me datën 17,18,19 maj ka marrë pjesë në organizimin dhe dërgimin për në Greqi të 14 personave dhe në rastin e datës 24, 25 maj të këtij viti ku tentuan të kalojnë në Greqi 13 persona.