Filmimet që arrestuan zyrtarët e patentave e kolaudimeve
TIRANË- Të arrestuarit e dy ditëve më parë për korrupsion dhe falsifikime tek patentat dhe kolaudimet kanë mohuar në polici lidhjet me njëri- tjetrin. Ata kanë deklaruar para oficerëve të policisë se nuk kanë asnjë lidhje mes tyre, duke mohuar dhe akuzën se bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të “shitur” patenta e dokumente kolaudimi false kundrejt shumave të parave. Burime nga policia e Tiranës thanë për “Shekullin” një pjesë e mirë prej 11 zyrtarëve të arrestuar dy ditë më parë nuk kanëdëshmuar para hetuesve pasi kanë kërkuar fillimisht të kenë të pranishëm avokatin personal. Por ata janë “tradhtuar” nga përgjimet dhe filmimet e policisë.
Dëshmia
Megjithëse policia për gjatë katër muajve hetim kishte siguruar prova të mjaftueshme kundër zyrtarëve si përgjime telefonike, filmime, apo edhe dokumente false që u janë gjetur në momentin e kapjes, ata kanë mohuar faktin se kanë kryer korrupsion, duke shpërdoruar detyrën. Burime nga policia thanë se oficerëve të policisë u është mohuar regjistrimi i deklaratave të zyrtarëve të arrestuarve të cilët nuk kanë preferuar të flasin pa praninë e avokatit. Por nuk kanë pasur të gjithë nevojë për avokat për të mohuar akuzën, pasi disa prej të arrestuarve kanë treguar para hetuesve se nuk kishin marrë ryshfete, dhe nuk kishin kryer bashkëpunime me njeri duke mohuar kryekëput lidhjet me të arrestuarit e tjerë ashtu si policia pretendon. Kjo e fundit deklaroi se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lëshuar patenta e dokumente kolaudimi për shtetas të ndryshëm duke marrë ryshfet. Por si kundër deklaratës së policisë e cila bazohet në prova materiale, zyrtarët kanë deklaruar se kanë kryer detyrën e tyre pa shkelur asnjë çast ligjin.
Arrestimet
Janë dashur dy grupe hetuesish të policisë të ndarë veçmas për të çuar në qeli 11 zyrtarë të cilët akuzoheshin për ryshfete. Hetimet e kryera paralelisht por të ndara nga njëra-tjetra, kanë pasuar edhe me operacione të kryera po paralelisht me qëllim dërgimin e menjëhershëm në qeli të personave të dyshuar. Prangat iu mbërthyen, sekserëve, zyrtarëve, pronarë autoshkolle, dhe deri te falsifikatori i dokumenteve. Skema ishte si zinxhir ku sekseri gjente klientin më pas e çonte atë te pronari i autoshkollës i cili siguronte dhe dokumentet false e më pas vinte radha e komisionerit të dhënies së lejeve të drejtimit, të cilët i vinin vulën këtij bashkëpunimi. Klientët siguronin patenta edhe pa mësuar apo pa kryer guidë vetëm duke paguar një shumë të majme parash, të cilët dyshohet se më pas ndaheshin nga të akuzuarit. E njëjta skemë ndiqej edhe nga zyra e kolaudimeve. Personat të cilët dinin se mjetet e tyre nuk plotësonin kushtet teknike për të udhëtuar këtë dokument e merrnin pavarësisht kësaj pasi jepnin një shumë parash. Pas informacioneve që kishin siguruar dy zyrat e antikrimit ekonomik-financiar si në Policinë e Tiranës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shtetit, nisën hetimet e më pas u organizuan operacionet të cilët u finalizuan me kapjen e 11 personave mes tyre edhe femra.
Të arrestuarit
1. Ylli Hasani, 41-vjeç, me arsim të lartë, me profesion inxhinier, me detyrë komisioner për dhënien e lejeve të drejtimit të automjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor.
2. Vladimir Dervishi, 58-vjeç, me arsim të lartë, me profesion inxhinier, me detyrë Instruktor dhe bashkëpronar i autoshkollës “MAJESTIK”.
3. Pellumb Mancila, 46-vjeç, me detyrë punonjës oficer i patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë nr 4 Tiranë.
4. Shtetasja me iniciale S.M, 42-vjeçe, me arsim të lartë me detyrë arshiviste pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor, Tiranë,
5. Shtetasja me iniciale B.B, 27-vjeçe, me arsim të lartë me detyrë Sekretare e Sektorit të Regjistrimit të Mjeteve në Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë.
6. Shtetasja me iniciale F.K, 38-vjeçe, me arsim të mesëm, punonjëse e agjencisë të Sigurime Atlantik pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor, Tiranë
7. Daniel Cami, 38-vjeç, me detyrë pranues dokumentesh në Qëndrën e Kontrollit Teknik të Automjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë.
8. Adrian Rushiti, 35-vjeç,iu siguronte dokumente të falsifikuara personave të mësipërm kundrejt ryshfeteve.
9. Lima Doka, 60-vjeç, me arsim të lartë me profesion mësues në shkollën 8- vjeçare Lana Bregas
10. Shtetasja me inicialet E.Sh 50-vjeçe, bashkëpronare e autoshkollës “MAJESTIK”
11. Shtetasja me iniciale Sh. M, 38-vjeçe me detyrë operatore pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë.