Ja shoqata ku mund të ankohen emigrantët
TIRANË – Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe Itali do të kenë mundësi të kenë më shumë njohuri në lidhje me organizatat që janë në mbrojtje të tyre. Një hap i tillë është bërë i mundur falë Komisionit Shqiptar të Helsinkit dhe Institutit Kombëtar të Diasporës Shqiptare. Një broshurë e veçantë ka të përfshira të gjitha shoqatat shqiptare që veprojnë në Greqi dhe Itali, por edhe organizata ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve shqiptarë. Kjo broshurë ka në përbërje të saj, emrat e shoqatave dhe organizatave më të njohura, me adresën e plotë dhe numrat përkatës të telefonit. Emigrantët shqiptarë janë të lutur që sa herë besojnë që shkelen të drejtat e tyre, t’i drejtohen këtyre të fundit për të kërkuar çdo lloj informacioni për mënyrën dhe të drejtat që atyre iu takojnë. Drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ka deklaruar se mënyrat e shpërndarjes së këtij buletini do të jenë nga më të ndryshmet që ato të mbërrijnë në duart e emigrantëve shqiptarë. Një formë do të jetë shpërndarja e tyre në pikat kufitare, si në ato tokësore ashtu edhe në aeroporte. Një formë tjetër do të jetë nëpërmjet vendosjes së këtyre broshurave brenda gazetave, në vendet ku ata jetojnë. “Ne duhet të koordinojmë të gjitha nismat për të përballuar me sukses problematikat e emigrantëve”,- është shprehur Hysi. Përzgjedhja dhe grumbullimi i këtyre organizatave në një broshurë është konsultuar me trupin diplomatik në vendet përkatëse.