E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, sherri për një femër, atentat 35-vjeçarit

LEZHË- Sherri për një femër për pak sa nuk i ka kushtuar jetën një 35- vjeçari nga fshati Kallmet i Lezhës. Ernest Margjoni u plagos rëndë në një atentat, ndërsa u identifikuan dhe u shpallën në kërkim autorët e krimit. Gjithashtu, mbeti e plagosur dhe një kalimtare e rastit. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës pohojnë se ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 në lagjen "Skëndërbej" të këtij qyteti. Mësohet se Margjoni është qëlluar me pistoletë nga dy persona, të cilët po lëviznin me një makinë tip "Benz". Për pasojë ai është plagosur rëndë.

Nga të shtënat është plagosur lehtë në krah dhe kalimtarja Erjona Preçi, 18 vjeç, banuese në lagjen "Vorosh" të Lezhës. Ndërsa autorët e krimit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, dy të plagosurit janë dërguar në spitalin rajonal të Lezhës ku iu është dhënë ndihma e parë mjekësore. Nisur nga gjendja e rëndë, 35-vjeçari është dërguar në spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas mjekëve të këtij spitali, Ernest Margjoni ndodhet në gjendje kritike për jetën. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, policia e Lezhës deklaroi se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Burime konfidenciale shprehen se ngjarja ndodhi pas konfliktit për një femër.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›