E Diel, 1 Nëntor 2026

Plazhi i "Gjeneralit", ndalohen katër ish-zyrtarë

Skandali me tjetërsimin e
48 hektarëve pronë në
vendin e quajtur gjiri i
"Gjeneralit" në Kavajë është zbehur.
Zyrtarët e Prokurorisë së Tiranës
kanë firmosur masa të lehta
ndaj gjashtë të akuzuarve që falsifikuan
dokumentet dhe tentuan
të përfitonin pronën me një vlerë
24 milionë euro. Kështu, "Plazhi i
Gjeneralit" ka çuar nën akuzë
katër zyrtarë, ndërkohë që hetimet
vazhdojnë edhe për ish-kreun
e AKKP-së dhe një biznesmen.
Operacioni i koduar "Toka e spostuar"
ka lënë në "arrest shtëpie"
Gjergji Hyson, Ali Aliajn, Petrit
Kullollin dhe Fatos Gjuzin. Sipas
policisë, kjo çështje, e cila po hetohet
prej kohësh, ka të bëjë me
kërkesën e kthimit të pronës së
hartuar në emër të ish-pronarëve
Nexhmi e Jonuz Shijaku, sipas dokumenteve
të vjetra të pronësisë
dhe plan-vendosjes së sipërfaqes
së tokës. E gjithë përmbajtja e
dosjes ka qenë e falsifikuar, ndërsa
mbi këtë dokumentacion,
AKKP-ja ka miratuar procedurën
dhe ka vendosur kthimin e
pronës, Hipoteka e ka regjistruar
atë, ndërsa topografët kanë bërë
verifikim të rremë në terren, duke
zhvendosur tokën në dokumente,
nga Mali i Robit te Gjiri i "Gjeneralit".
Ndërkaq, akuza tha zyrtarisht
se ka kërkuar masën "detyrim
paraqitjeje" ndaj ish-kreut të
Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit
të Pronave, Tunxh Vatnika.
Ndërsa masa shtrënguese e
kërkuar ndaj biznesmenit Alban
Xhillari është depozitimi i një garancie
pasurore në vlerën e 10 milionë
lekëve të reja. Seanca do të
zhvillohet sot në Gjykatën e Tiranës,
ku pritet që e njëjta masë do
të lihet ndaj të akuzuarve për
tjetërsimin e 48 hektarëve pronë
në Kavajë. Mësohet se kërkesa për
masat e sigurisë së djeshme dhe
të sotme është vlerësuar kolegjialisht
në prokurori, ku ka pasur edhe
zëra kundër. Por në fund është
vendosur në bazë të nenit 24 të
Kodit të Procedurës Penale, i cili
thotë se, nëse ka kundërshti për
një masë sigurie, atëherë drejtuesi
i prokurorisë vendos për masat
e sigurisë. Në këtë rast, duket se të
gjitha kërkesat në gjykatë janë firmosur
nga kreu i Prokurorisë së
Tiranës, Genti Xholi.
Burimet nga Drejtoria e
Përgjithshme e Policisë së Shtetit
thanë se disa muaj më parë,
Prokuroria e Tiranës filloi një
hetim për 48 hektarë mbivendosje
në vendin e quajtur gjiri i "Gjeneralit",
në Rrethin e Kavajës. Pas
hetimeve, prokuroria kërkoi në
gjykatë masën "arrest shtëpie" për
katër persona. Sipas të dhënave
hetimore, masa e parë u dha për
avokatin Gjergji Hyso, 53 vjeç. Por,
nuk shpëtuan edhe Ali Aliaj, 58
vjeç, punonjës i Zyrës Vendore të
Kthimit dhe Kompensimit të
Pronave, Petrit Kullolli, 53 vjeç,
punonjës i Zyrës Rajonale të
Kthimit dhe Kompensimit të
Pronave në Tiranë dhe Fatos
Xhevdet Gjuzi, 45 vjeç, shefi i
Zyrës Vendore të Regjistrimit të
Pasurive të Paluajtshme në Kavajë.
Sipas policisë, këta persona
akuzohen për veprën penale të
shpërdorimit të detyrës, e kryer në
bashkëpunim, falsifikim të dokumenteve
nga personat që kanë për
detyrë lëshimin e tyre dhe të
mashtrimit. "Nga hetimet disamujore
ka rezultuar se këta persona
kanë falsifikuar dokumentet e
pronësisë, duke përfituar në
mënyrë të paligjshme rreth 480
dynymë tokë në zonën e Komunës
Synej dhe konkretisht te plazhi
i "Gjeneralit" dhe "Kalaja e Turrës".
Menjëherë pas denoncimit të
Zyrës së Regjistrimit të Pasurive
Kavajë se ishin evidentuar parregullsi
të shumta ligjore në dokumentacionin
me të cilin do të
hipotekohej kjo sipërfaqe e madhe
toke, njësia e Task-Forcës në
Prokurorinë e Tiranës nisi hetimet
dhe për afro një muaj konstatoi
shkelje të shumta ligjore. Sipas
burimeve të mësipërme, më datë
23 nëntor të vitit të shkuar, grupi
hetimor ka hartuar një kërkesë për
shtatë masa sigurimi në mungesë,
e cila i është vënë në dispozicion
drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës.
Në kërkesën e mësipërme,
prokurorët e çështjes i kërkonin
shefit të tyre firmosjen e urdhërarresteve,
me qëllim dërgimin në
Gjykatën e Tiranës, e cila do të
jepte verdiktin përfundimtar nëse
do të ishin të nevojshme këto
masa sigurie apo jo. Sipas të
dhënave, bëhet me dije se nga
hetimi njëmujor, duke përdorur të
gjitha metodat speciale të investigimit,
është arritur të provohet se
zyrtarë të AKKP-së dhe hipotekave
kanë qenë të përfshirë në këtë
skandal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›