E Diel, 1 Nëntor 2026

"Liberalizim vizash në fillim të mandatit tonë të dytë"

Kryetarja e Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, deklaroi mbrëmë se liberalizimi i vizave me vendet e BE-së do të bëhet vetëm në vitin e parë të mandatit të dytë të Partisë Demokratike. Pra, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Ky ka qenë premtimi që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka dhënë mbrëmë në intervistën e emisionit "Top Story" në "Top Channel" të drejtuar nga Sokol Balla. Më tej, gjatë intervistës së saj, Topalli ka theksuar se ecuria e reformave në vend do të shpërbleje demokratët me një mandat të dytë qeverisës. Për Topallin do të ketë një mandat të dytë për qeverinë e PD-së, pasi ishte kjo forcë politike që bëri të mundur nënshkrimin e MSA-së dhe marrjen e ftesës për në NATO. Ndërsa prioriteti tjetër i demokratëve, gjatë kësaj kohe, është realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në lidhje me raport-progresin e Komisionit Evropian, që pritet të dalë pak pas ditësh, i cili thekson se Shqipëria nuk ka një zhvillim të njëtrajtshëm të realizmit të reformave, Topalli tha se megjithëse ende nuk ka dalë raporti zyrtar, raporti jozyrtar është i shkëlqyer nëse krahasohet me vitin e kaluar. Për Topallin, kjo mazhorancë është kampione në betejën kundër korrupsionit dhe kjo është pozitive, pasi vendi ynë, tha Topalli, është cituar në raporte për luftën kundër korrupsionit. Duke u ndalur te çështja e liberalizmit të vizave, e cila ende ka mbetur një premtim i parealizuar për shqiptarët. Topalli tha se në 2009-ën Shqipëria do të jetë ndër vendet me viza të liberalizuar në BE, s‘do të ketë më radha të gjata. Topalli ka premtuar se në fund të vitit 2010 shqiptarët do të lëvizin pa viza. Në lidhje me mocionin ndaj Kryeministrit Berisha, të kërkuar nga opozita, Topalli ka theksuar se opozitës nuk ia mban të bëjë mocion mosbesimi ndaj ka kërkuar një mocion me debat. Duke u ndalur te reformat ekonomie, Topalli tha se ecuria e tyre vlerësohet nga raportet ndërkombëtare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›