PDS: Kriza, BSH të rrisë transparencën për publikun
Partia Demokracia Sociale shprehu dje shqetësim për rreziqet e mundshme ndaj sistemit financiar edhe në Shqipëri. Për këtë arsye, kjo parti vlerëson dhe kërkon nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, që të shtojnë nivelin e transparencës ndaj publikut. "Të angazhojnë ekspertët më të mirë për të fotografuar qartë dhe me detaje implikimet e mundshme të krizës ndërkombëtare në ambientin shqiptar", tha sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari. PDS mbështet angazhimin e Bankës së Shqipërisë dhe vlerëson si shumë te rëndësishme që ky institucion të ruajë plotësisht pavarësinë në vendimmarrje në përballjen e rreziqeve të mundshme ndaj sistemit financiar shqiptar. "Hedhim poshtë përpjekjet e qeverisë për ta bombarduar publikun me shifra marramendëse të buxhetit të ardhshëm të shtetit dhe projekteve me vlerë shumë milionë euro", tha Duçkallari. Teksa shtoi se përpara se të publikohen planet qeveritare për vitin zgjedhor, shqiptarët dëshirojnë të dinë nëse paratë e tyre janë apo jo plotësisht të sigurta në bankat e vendit. "Qeveria ka përgjegjësinë të angazhohet në një proces dialogu dhe ekspertize me Bankën e Shqipërisë për të shqyrtuar realisht gjendjen, në mënyrë që të merren masa efikase dhe në kohë", thekson PDS.