Turqi, Berisha takon Erdogan
Kryeministri Berisha është takuar dje me shefin e qeverisë turke, Rexhep Taip Erdogan. Berisha ndodhej në Turqi për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror. Sipas Berishës, Shqipëria ka hyrë në listën e vendeve më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, duke marrë vlerësime pozitive ndërkombëtare. "Në sajë të reformave ekonomike dhe financiare të qeverisë, Shqipëria është bërë tashmë një vend shumë tërheqës për investitorët e huaj", theksoi Kryeministri. Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Stamboll, Kryeministri Berisha mori pjesë në panelin kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kryeministri Berisha, duke folur për angazhimet që Shqipëria ka marrë, në kuadër të përmbushjes së standardeve të BE-së, u shpreh se qeveria shqiptare ka firmosur me BE-në Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit dhe se ajo po ecën në përputhje të plotë me standardet e BE-së. "Zbatimi i këtyre standardeve është në të mirën e qytetareve tanë. Unë vlerësoj si shumë të rëndësishme zbatimin e këtyre vlerave në të mirë të popujve tanë", u shpreh Kryeministri. Kryeministri Berisha e konsideroi anëtarësimin në BE një forcë shtytëse për zhvillimin e të gjithë rajonit të Ballkanit.