E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: opozita të bëhet realiste dhe të ndalojë propagandën kundër heqjes së vizave

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë seancës plenare dje, në Kuvend ftoi opozitën e majtë të bëhet realiste dhe të ndalojë propagandën kundër heqjes së vizave. Duke thënë  se “qeveria shqiptare po kryen hapat e fundit të përmbushjes së kritereve për heqjen e plotë të vizave”.

“Me këtë rast ftoj opozitën që të bëhet realiste, të marrë informacionin e duhur dhe të ndalojë propagandën e saj kundër heqjes së vizave dhe kundër pjesëmarrjes së saj në jetën parlamentare shqiptare”, u shpreh ministri Basha gjatë diskutimit në parlament të projektligjit “për ratifikimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë çeke për bashkëpunimin në luftën kundër krimit”.

Ministri i Brendshëm tha se me këtë draft përmbyllet një kuadër i domosdoshëm ligjor në kuadër të proceseve integruese. Ai e konsideroi marrëveshjen shenjë e vullnetit të partnerëve evropianë me Shqipërinë duke i njohur asaj një rol substancial në luftën kundër krimit.

“Ky besim justifikohet nga vullneti i hekurt i demonstruar nga mazhoranca në katër vitet e kaluara për goditjen e krimit”, tha ai.

Sipas ministrit një vend të veçantë në këtë marrëveshje zë dhe bashkëpunimi ndërkufitar ku Shqipëria po realizon një nga sistemet më hermetike dhe transparente në kuadër të implementimit të detyrimeve karshi BE-së. Në këtë kuadër, Basha informoi parlamentin se policia kufitare është në fazën përfundimtare të instalimit të këtij sistemi në 5 nga 26 pikat kufitare në vend, të cilat brenda muajit tetor do të jenë të lidhura me sistemin dhe do të funksionojnë sipas parimit të kontrollit të integruar. Marrëveshja mes Qeverisë shqiptare dhe qeverisë çeke, e diskutuar parimisht dje në Kuvend, synon nxitjen e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikimit të drogave, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›