Berisha nis sot vizitën dyditore në Kosovë
Shqiptarët e Kosovës, premtojnë pritje madhështore në Prishtinë, Prizren dhe Prekaz
Kryeministri Berisha do të nderohet me titullin ‘Honoris Causa” të Universitetit të Prishtinës, kurse në Prizren do të shpallet “Qytetar Nderi”.
Kryeministri Sali Berisha nis sot një vizitë dy ditore në Kosovë, vizita e parë që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në ditën e parë të vizitës, Kryeministri Berisha do të takohet dhe ketë bisedime me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Pas takimit, në prani të dy kryeministrave, do të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi midis dy vendeve.
Gjithashtu, kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Kryeministri Berisha do t’i drejtohet më pas, me një fjalë Kuvendit të Kosovës.
Pasdite, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të veçanta me përfaqësues të partive politike, me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe përfaqësues të minoriteteve.
Kryeministri Berisha do të zhvillojë gjithashtu, homazhe në varrin e Presidentit Ibrahim Rrugova dhe një vizitë në familjen e tij.
Në ditën e dytë të vizitës, kryeministri Berisha do të udhëtojë në Prekaz, ku do të zhvillojë homazhe në memorialin e Adem Jasharit dhe do të kryejë një vizitë në familjen Jashari. Axhenda e kryeministrit do të vijojë më pas me takime të veçanta me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Pieter Feith dhe Komandantin e KFOR-it, Leitnant Gjeneral Markus Bentler.
Kryeministri Berisha do të vizitojë në Prishtinë edhe monumentin “New Born”.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministrit Berisha do t’i jepen edhe titujt “Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës dhe “Qytetar nderi” i Prizrenit.
Opinioni shqiptar në Kosovë, është shprehur se do të organizojë një pritje madhështore në qytetet kryesore. Berisha vlerësohet në shtetin e ri, si kryeministri i shqiptarëve dhe për këtë arsye zotëron një reputacion të jashtëzakonshëm, madje duke u renditur edhe para liderëve vendas.
Kjo, është vizita e dytë e kryeministrit që nga përfundimi i luftës. Berisha e ka vizituar një herë Kosovën, gjatë mandatit të parë qeverisës, 2005-2009. Gjatë kësaj vizite, Berisha u prit në mënyrë madhështore në Prishtinë, Prizren, Drenicë dhe Gjakovë, ku turma të entuziazmuara qytetarësh shqiptarë të Kosovës, i shprehën falënderimet e tyre, kryeministrit shqiptar, duke e quajtur, si “atin shpirtëror të shqiptarëve”, për mbështetjen e dhënë në drejtim të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj në mbarë botën.
...