E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: PS duhet të bëjë lojë opozitare në Kuvend

Deputeti i Partisë Socialiste dhe një nga iniciatorët e “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”, Arben Malaj, gjykon se PS duhet të fillojë të bëjë lojë opozitare në Kuvend.

Ashtu sikurse dhe forcat e tjera politike në vend, të cilat i kanë bërë thirrje PS-së për të hyrë në Kuvend, në të njëjtën linjë ka qenë dhe deputeti Malaj, i cili është shprehur në një intervistë se “PS duhet të fillojë të bëjë lojë opozitare në parlament dhe të propozojë një rezolutë për liberalizimin e vizave dhe çeljen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.

Sipas tij, këto dokumente duhet t’i iniciojë PS, ta votojë i gjithë Kuvendi i Shqipërisë dhe më pas t’u dërgohet menjëherë të gjitha institucioneve të Brukselit, të Presidencës suedeze, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

Duke folur për protestat që PS pritet të nisë të shtunën, deputeti i PS-së, Arben Malaj, tha se “ne e kemi theksuar qartë se nuk jemi kundër protestave, por kundër bojkotit, nuk jemi kundër kryetarit të radhës, por kemi një qëndrim alternativ për modernizimin e PS-së, si dhe pro PS-së si një forcë moderne evropiane”.

Deputeti Malaj komentoi edhe qëndrimet e ish-liderit socialist, Fatos Nano, si dhe përballjen e tij me Edi Ramën në garën për kreun e Bashkisë së Tiranës, duke pohuar se “PS më shumë se përballje ka nevojë për bashkëpunim, aq më tepër pas një mandati të dytë në opozitë”.

Sipas tij,  zhvillimet e fundit në PS vërtetojnë se forumet dhe lidershipi i saj janë prekur jo pak nga influenca abuzuese e pushteteve të grumbulluara në pak duar apo në një dorë, duke shtuar se “në PS kemi modelin e liderit me pushtet absolut, ku personalitetet e saj duhet të prisnin deri në minutën e fundit nëse do të përfshiheshin në listën e deputetëve”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›