E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i Vizave PE, Shqipërisë: Përmbushni kriteret

Autori i Lajmit: Redaksia
Parlamenti Evropian miratoi me shumicë votash amendamentet për liberalizimin e vizave me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, si dhe deklaratën e përbashkët të Komisionit dhe Këshillit Evropian. Por raportuesja Tanja Fajkon nuk ka lënë mënjanë as Shqipërinë dhe Bosnjë- Hercegovinë. Ajo u ka bërë thirrjeve këtyre dy vendeve që të përmbushin të gjitha kriteret e përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar ndërsa ka theksuar se p[parlamenti dhe Këshilli do të shqyrtojnë mendimin e Rregullores për regjimin e vizave me këto dy vende si një çështje urgjente. Ndërkohë dy ditë më parë ambasadorët e 27 vendeve anëtare kanë rënë dakord që t’i kërkojnë Komisionit Evropian të përgatisë një vlerësim për gatishmërinë e Shqipërisë për të nisur bisedimet për anëtarësim. Vendimi pritet të miratohet nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, gjatë një takimi dyditor që nis të hënën.

Vendimi

Raportuesja Tanja Fajon prezantoi raportin i cili përcaktonte liberalizimin e vizave me tre nga vendet e Ballkanit. Në të përcaktohet se heqja e regjimit të vizave për tre vendet përfituese hyn në fuqi, jo në 1 janar 2010 siç pritej, por në 19 dhjetor 2009, 20 dite pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të Këshillit të Ministrave të Brendshëm Evropiane. Deklarata nuk përcakton asnjë datë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën, por theksohet se Parlamenti e Këshilli do te shqyrtojnë amendimin e Rregullores për regjimin e vizave me këto dy vende, si çështje urgjente. Ndaj i bëhet thirrje Shqipërisë dhe Bosnjës që të përmbushin sa më shpejt kriteret e përcaktuara në udhërrëfyesin e shpërndarë nga Komisioni. Drafti paraprak i kësaj deklarate përcaktonte 1 korrikun 2010 si datë për hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave me Shqipërinë e Bosnjën, nëse këto dy vende konsideroheshin se i kishin përmbushur kushtet dhe se Komisioni mund të paraqiste në fillim të vitit të ardhshëm propozimin e tij për heqjen e regjimit të vizave Shengen me këto dy vende. Por, pas bisedimeve mes 3 institucioneve evropiane, është shmangur përcaktimi i datave të sakta për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën në deklaratën përfundimtare. Raporti i Tanja Fajon i cili synonte përshpejtimin e procedurave edhe për Shqipërinë e Bosnjën, pas 2 muaj debatesh me Komisionin dhe vendet anëtare, arriti vetëm të përshpejtonte datën e liberalizimit të vizave për Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi. Rezoluta e Parlamentit Evropian do të miratohet nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm në 30 nëntor. Dy ditë më parë u dha një tjetër shembull që Be mirëpret Shqipërinë si pjesë të saj. Vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord të mërkurën që të mbështesin aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim eventual në familjen evropiane, një hap ky në procesin e gjatë drejt anëtarësimit në bllok. Kjo gjë u paralajmërua nga komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn. Gjatë konferencës për shtyp me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta të zhvilluar në Bruksel ai konfirmoi se ambasadorët e COREPER-it të vendeve anëtare të BE kanë diskutuar tashmë mbi statusin e Shqipërisë dhe pritet shumë shpejt që Këshilli do t’i kërkojë Komisionit Evropian të përgatisë AVIS në nëntor për aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat.

Ky lajm është publikuar: 13/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›