Liberalizimi i tregut, bien të ardhurat nga sigurimi i automjeteve
Të dhënat më të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për 9-mujorin tregojnë për një rënie të ardhurash nga sigurimi i TPL-ve, që nga implementimi i ligjit për liberalizimin e tregut të sigurimit të automjeteve. Në këtë mënyrë, të ardhurat nga ky sigurim për 9-mujorin pësuan një rënie me 23%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat nga ky sigurim zënë 30% të tregut, nga 40% që zinin një vit më parë. Liberalizimi i tarifave të TPL-ve duket se po nxit një ekuilibrim të tregut mes sigurimeve të detyrueshme dhe atyre vullnetare. Sigurimet e detyrueshme motorike në total kanë rënë në 51% të tregut, ndërkohë që një vit më parë përbënin 57% të tij. Gjithashtu, produktet e sigurimit të jetës po fitojnë më shumë terren në treg dhe sot zënë mbi 12% të totalit, nga 9% që zinin viti e kaluar. Liberalizimi i tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik po sjell çmime më të ulëta dhe një volum më të pakët të ardhurash për kompanitë e sigurimeve. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për 9-mujorin e këtij viti të ardhurat nga primet kishin vlerën e 6.5 miliardë lekëve, me një rritje prej 4.7%, krahasuar me vitin e kaluar. Në tre muajt e fundit ritmi i rritjes së tregut ka ardhur në rënie dhe kjo i detyrohet kryesisht uljes së tarifave për sigurimin TPL.