E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat e kryebashkiakëve, Berisha tërhiqet nga pragu për biznesin e vogël

Në mbledhjen e grupit kryeministri deklaron se pragu do të mbetet 8 milionë lekë
Eljona Ballhysa
Protestat e vazhdueshme të kryetarëve të bashkive e komunave të vendit duket se sollën rezultatin e duhur në mbrojtje të biznesit të vogël. Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha u shpreh se kufiri i biznesit të vogël nuk do të zbresë, pragu i biznesit të vogël mbetet deri në 8 milionë lekë të qarkullimit vjetor. Mandej ai tha se në mënyrë që të mbrohet biznesi i vogël, të luftohet evazioni, TVSH-ja do të zbresë për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë. Ky vendim i qeverisë vjen pas një vargu protestash të opozitës dhe të Shoqatës së Kryetarëve të Bashkive.
Deklarata
Kryeministri Berisha bëri të ditur se në seancën e fundit të Kuvendit, që do të mbahet ditën e mërkurë pasdite, do të miratohen ndryshimet në Kodin e Procedurave Doganore që nuk do të sjellin ndryshim për biznesin e vogël. “Në këtë seancë ne miratojmë disa ndërhyrje në Kodin e Procedurave Doganore, për të cilat unë dua të qartësoj edhe një herë se nuk do të ketë lëvizje të kufirit të biznesit të vogël. Kufiri ka qenë 8 milionë dhe do të mbetet 8 milionë. Kufiri nuk do të zbresë. Pas disa konsultimeve të gjera, në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj konfuzioni dhe asnjë lloj spekulimi, pragu i biznesit të vogël mbetet deri në 8 milionë lekë qarkullimi vjetor. Ajo çka i gjithë ky biznes do të paguajë, pa asnjë përjashtim, në bashki dhe në komuna, është taksa e biznesit të vogël. Ne po shqyrtonim dy variantet dhe njëri ishte që t’ua kompensonim ne, por meqenëse vendosëm të mos lëvizim kufirin e biznesit të vogël, atëherë, në raport me bashkitë dhe komunat situata mbetet pa asnjë ndryshim”, është shprehur kreu i qeverisë. Së dyti ai tha që në mënyrë që të mbrohet biznesi i vogël, të luftohet evazioni, TVSH-ja do të zbresë për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë. Por edhe këtu do të ketë një dallim, sipas kryeministrit. “Në rast se biznesit të madh i kërkohet një rigorozitet i përmuajshëm në të gjitha llogaritjet dhe librat, atëherë këtij biznesi, i cili është sërish i vogël, por që TVSH-ja do të përfshijë të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë, do t’u kërkohet diçka më e thjeshtuar. Përndryshe evazioni nuk mund të luftohet”, - është shprehur ai. Berisha tha se çdo biznes, i cili gjykon se autoriteti tatimor ka arbitraritet në përcaktimin dhe në përzgjedhjen e tij për TVSH-në, mund bëjë ankimim pranë autoritetit tatimor, pranë zëvendësministrit, pranë ministrit e deri te kryeministri në telefonin e tij të hapur për mesazhe. “Unë kam besim të madh se me këto masa ne jo vetëm që nuk kemi cenuar, por kemi mbështetur fuqishëm bizneset nga 5 milionë e sipër do të fitojnë automatikisht të drejtën e rimbursimit të TVSH-së, të drejtë që nuk e kanë tani. Për të gjitha blerjet e tyre, për të gjitha shpenzimet e tyre, TVSH-ja tani këtyre do t’u rimbursohet”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Shpërblimet
Më tej, gjatë fjalës së tij, Berisha hodhi poshtë ato që ai i cilësoi spekulime të opozitës për mosdhënien e shpërblimeve për buxhetorët brenda këtij viti. Berisha tha se që sot fillon shpërndarja e “kartolinës së maxhorancës”. “Gjithashtu, në këtë takim desha t’ju informoj se e mbyllim këtë vit në kundërshtim me trillimet ordinere, në kundërshtim me disa tituj, se nuk e di kujt i intereson të mbjellë trishtim në mëngjes, ndërkohë që përgënjeshtrohet në drekë. Janë 800 mijë familje shqiptare që do të marrin kartolinën e maxhorancës për Vitin e Ri. Çdo gjë është plotësisht e disponueshme. Për punonjësit e administratës ndarja e shpërblimit ka filluar. Për pensionistët, Instituti i Sigurimeve Shoqërore disponon të gjithë faturën financiare për të disbursuar gjatë ditëve që vijnë, nëpërmjet postës dhe mënyrave të tjera, shpërblimin për 543 mijë pensionistë të vendit. Të gjitha variantet e tjera janë thjesht spekulime ordinere, sepse se çfarë do t’u thonë këta zotërinj 800 mijë familjeve shqiptare, të cilët çdo mëngjes u deklarojnë se nuk do të marrin shpërblimin, në një kohë kur ata po e marrin dhe do ta marrin, kjo është zgjedhja e tyre”, - është shprehur Berisha.

22 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›