E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Basha informon të dërguarit e KE

TIRANE- Ministri i Brendshëm Lulzim Basha priti sot në një takim zv.Drejtorin për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Europian Z. Jean-Louis De Brouwer dhe Shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin Z. Luigi Soreca. Ministri njohu funksionarët e KE me përpjekjet e qeverisë në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave me BE. Lidhur me aplikimet për pasaportat biometrike Basha tha se ka arritur në 252 mijë numri i aplikimeve. Për sigurimin e kufijve ministri informoi gjithashtu se është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, është mundësuar lidhja me bazën e të dhënave të INTERPOL-it dhe me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX. Po punohet në të njëjtën kohë edhe për funksionimin e Qendrës Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar. Po punohet për vendosjen e lexuesve optikë të pasaportave biometrike në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Kurse policia e shtetit po punon për përfundimin e Regjistrit Kombëtar për të Huajt brenda muajit nëntor. De Brouëer u shpreh optimist se ekspertët e delegacionit të KE që do të vizitojnë Shqipërinë do të përcjellin një raport pozitiv për progresin e arritur. Në takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë Z. Helmut Lohan.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›