Liberalizimi i vizave, Borchardt: Shqipëria do të jetë shumë shpejt në zonën e lëvizjes së lirë
Shqipëria do ta shohë veten shumë shpejt në zonën “Schengen”. Përfitoj nga rasti të inkurajoj qeverinë shqiptare për të thelluar përpjekjet në këto fusha, në mënyrë që më në fund regjimi i vizave të hiqet”. Kështu u shpreh sot ambasadori gjerman në vend tonë, Bernard Borchardt. Gjatë inspektimit të pikës së kontrollit kufitar në Muriqan, ambasadori gjerman, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha, përgëzoi punën e qeverisë porsa i takon progreseve në fushat nga të cilat varet procesi i liberalizimit të vizave. Borchardt vërejti zhvillime pozitive në aplikimin e teknologjisë së informacionit në fushën e policisë dhe atë kufitare.
“Progreset në këto fusha janë parakusht për liberalizmin e vizave. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë. Përfitoj nga rasti të inkurajoj qeverinë shqiptare për të thelluar përpjekjet në këto fusha, në mënyrë që më në fund regjimi i vizave të hiqet”, deklaroi ambasadori gjerman
Borchardt vlerësoi gjithashtu se Shqipëria ka shënuar suksese edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe lëndëve narkotike.