E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Lufta për demokraci në çdo kohë

17/11/2009  Ambasadori amerikan lëshon thirrjen e radhës në mbrojtje të fjalës së lirë

Apeli erdhi gjatë ceremonisë për përkujtimin e 37 intelektualëve të Tiranës

Të luftosh në mbrojtje të fjalës së lirë, dhe kjo duhet bërë për liri dhe ideal. Një apel i tillë u lëshua dje nga ambasadori amerikan Xhon Uidhers gjatë një ceremonie të zhvilluar për të përkujtuar 37 intelektualët e Tiranës, ku më 16 nëntor 1944 u ekzekutuan pa gjyq, pasi nuk ishin në krah të Partisë Komuniste. Por dhe sot, 65 vjet më vonë, thirrjet për të mbrojtur fjalën e lirë vijojnë. Ndër to dje u veçua apeli i ambasadorit Uidhers, sipas të cilit shqiptarët duhet të vazhdojnë betejën për mbrojtjen e fjalës së lirë, ideali për të cilën 37 intelektualët qenë të gatshëm të jepnin jetën e tyre. Ceremonia u organizua nga Shoqata Mbarëkombëtare e të Persekutuarve Politikë dhe ambasada amerikane. Fjala e nderit gjatë ceremonisë për përkujtimin e intelektualëve të Tiranës u mbajt nga ambasadori amerikan.

“Beteja për të cilën ata u përballën në ato vite, është e njëjta betejë që vazhdon edhe sot. Duhet të jemi të vendosur që, sa herë që shohim censurë nga ana e qeverisë, duhet ta kundërshtojmë. Sa herë shohim të kanoset shtypi, duhet ta kundërshtojmë atë. Sa herë shohim një grup të shoqërisë që i shmangen zbatimit të ligjit kundër vetes, duhet ta kundërshtojmë atë. Sa herë shohim dhunë, një përpjekje për të fshirë shkëmbimin e lirë të ideve, duhet ta kundërshtojmë atë”, - vuri në dukje Uidhers gjatë fjalës së tij. Po kështu, duke i mëshuar më tej një çështjeje të tillë, diplomati amerikan shtoi se “vetëm në këtë mënyrë ne kemi për të ruajtur jo vetëm kujtimin e tyre, por besimin te ideali për të cilën ata qenë të gatshëm të jepnin jetën e tyre. Por ne mund t’u japim pavdekësinë idealeve të tyre. Ne nuk mund t’u japim pavdekësinë atyre personave. Ata e dhanë jetën për një parim, për një ideal, prandaj të sigurohemi që e gjithë sakrifica e tyre të mund të kujtohet”. Kjo nuk është e vetmja thirrje e lëshuar nga ambasadori Uidhers lidhur me një çështje të tillë. “Mos u dorëzoni përpara kanosjes! Mos u dorëzoni përpara kërcënimeve! Mos u dorëzoni përpara dhunës! Ajo që ju keni në duar, nuk është thjesht një profesion, nuk është thjesht një mënyrë për të fituar jetesën. Ju mbani në duar një nga parimet më të bekuara të demokracisë. Luftoni për të, sepse ia vlen. Ia keni borxh këtë profesionit tuaj, ia keni borxh këtë kombit tuaj dhe ia keni borxh këtë vetes suaj”, - është shprehur ambasadori Xhon Uidhers gjatë një deklarate, ku dënoi aktin e dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›