E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i vizave Meta: “BE i trembet dyndjes së shqiptarëve”

Autori i Lajmit: Redaksia
Vendimi për liberalizimi e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të merret brenda vitit 2010. Ky pohim u bë dje nga ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i cili ishte i pranishëm në një seancë dëgjimore për vizat të zhvilluar në një mbledhje të përbashkët të Komisionit të Jashtëm dhe Komisionit të Integrimit. Por kreu i diplomacisë shqiptare, për herë të parë, pranoi se BE është e shqetësuar dhe për një dyndje të shqiptarëve jashtë vendit pas këtij procesi. Sipas tij, disa nga vendet e BE-së e lidhin këtë shqetësim kryesisht me kriminalitetin, kjo për faktin se jo rrallë ka ndodhur që grupe të tilla kriminale të jenë me origjinë shqiptare. Megjithatë, ai shtoi se Qeveria po merr të gjitha masat e nevojshme për të plotësuara kriteret e duhura në mënyrë që të bëhet sa më shpejt e mundur lëvizja e lirë e shqiptarëve. Në këtë kuadër, Meta pohoi se as opozita dhe protestat e saj nuk mund të pengojnë këtë proces.

Deklarata

“Kjo kërkohet nga disa vende anëtare të BE për shkak të shfaqjes së shëmtuar të kriminalitetit në vendet e tyre, ku ka ndodhur jo rrallë që të jetë me origjinë shqiptare. Ekziston një shqetësim në këto vende për krimin e organizuar, jo thjesht si një fenomen shqiptar apo ballkanik, por në përgjithësi”, - tha Meta. Ministri i Jashtëm theksoi se rruga e lirë drejt Bashkimit Evropian nuk mund të pengohet as nga bojkoti i opozitës, ndërsa komentoi dhe protestën e PS-së sot pasdite. “Do të kalojë. Do të kalojnë edhe disa nëntorë të tjerë. Kjo Qeveri do ta mbyllë mandatin e saj pa asnjë diskutim. Nuk trembet askush nga paralajmërime të tilla, të cilat tregojnë një mungesë serioziteti”, - tha ai. Kreu i diplomacisë shqiptare shtoi se mazhoranca është e gatshme të diskutojë çdo gjë me opozitën, sepse roli i saj për vizat është i pazëvendësueshëm. Meta shtoi se Shqipëria po merr sinjale të njëpasnjëshme mbështetjeje të fuqishme nga të gjitha institucionet evropiane për liberalizimin e vizave. Duke analizuar këtë proces ai pohoi se është bërë bërë një revolucion i vërtetë në dokumentet biometrike, si kartat e identitetit ashtu edhe pasaportat. Në vetëm 6 muaj, sipas tij, janë shpërndarë 265 mijë pasaporta biometrike më shumë se në çdo vend tjetër. Masa të jashtëzakonshme janë marrë dhe për menaxhimin e kufirit dhe për ripranimet kur janë instaluar teknologjitë më të reja dhe po bashkëpunohet dhe me homologët e huaj. “Është bërë standardizimi i procedurave të kontrollit në kufi, që siguron se në vend nuk ka pika të kalimit kufitar më të sigurta apo më pak të sigurta, por se kontrolli në të gjitha këto pika është standard dhe ndjek të njëjtën procedurë kontrolli për çdo lëvizje brenda apo jashtë vendit”, - deklaroi ministri i Jashtëm. Për sa i përket rendit dhe sigurisë në vend, i cili sipas Metës, është më pak i matshëm, është zbatuar strategjia kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit ndërkohë që është miratuar plan veprimi me masat që do të ndërmarrë çdo institucion. Meta shtoi se dy detyrimet e mbetura nga ky bllok përfshinin angazhimin në kuadër të Dekadës së Romëve si dhe ligjin e ri për antidiskriminimin. Meta ka sqaruar më tej dhe hapat e ndërmarra nga Qeveria në kuadër të procesit të integrimit, por dhe vendimet e BE-së në këtë kuadër. Ai kujtoi se më 16 nëntor Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian mori në shqyrtim kërkesën tonë për anëtarësim, dhe pasi e miratoi atë në unanimitet, i kërkoi Komisionit Evropian të përgatisë Opinionin e tij mbi këtë aplikim. Kjo do të thotë që brenda muajit dhjetor Komisioni do të na dorëzojë pyetësorin, me anë të të cilit do të bëhet një vlerësim i hollësishëm i shkallës së përmbushjes së kritereve të Kopenhagës nga vendi ynë, përpara se ne të marrim statusin e ri të vendit kandidat për në BE. Dorëzimi i pyetësorit, me shumë gjasë do të bëhet nga Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn. “Ky vendim tregon se Bashkimi Evropian është i bindur për përparimin e Shqipërisë në drejtim të përmbushjes së standardeve evropiane, por gjithashtu do të thotë angazhime e detyrime më të mëdha, më kërkuese dhe më impenjuese”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›