E Diel, 1 Nëntor 2026

ESI: "Shqipëria është në kohë për vizat"

Autori i Lajmit: Redaksia
Shqipëria është në kohën e duhur për sa i përket procesit për liberalizimin e vizave. Konkluzioni është nxjerrë nga Nisma Evropiane për Stabilitet, ESI. Gjatë periudhës tetor-nëntor, ESI dhe organizata e tyre partnere, Lëvizja Evropiane në Shqipëri, kanë analizuar raportet mbi gatishmërinë e Qeverisë, të përditësuara rregullisht në datat 30 shtator, 23 tetor dhe 22 nëntor. “Ashtu si në rastin e Bosnjës, ne arritëm në përfundimin se Shqipëria ka bërë përparim domethënës, afërsisht në të njëjtin nivel zbatimi që Serbia dhe Mali i Zi kishin arritur në maj 2009”, - raporton ESI. Sipas këtij organizmi, gjatë verës së sivjetme, Shqipëria i kishte marrë gjërat disi më me ngadalë, për shkak të zgjedhjeve të qershorit 2009. E megjithatë, më 29 korrik 2009, Qeveria miratoi një Plan Veprimi me afate kohore ambicioze, por gjithsesi realist, për përmbushjen e kushteve të mbetura të Udhërrëfyesit; ndërsa, më 16 shtator, Qeveria e re u zotua të bëjë të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën Shengen brenda vitit të parë të mandatit qeverisës. Ky objektiv, sipas ESI-t, u “përkthye” me shpejtësi në veprimtari të bashkërenduara për realizimin e kërkesave të mbetura. “Fatmirësisht, ky përparim është njohur nga Parlamenti Evropian, Shtetet Anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian. Në dhjetor 2009, Komisioni planifikon të dërgojë misione ekspertësh nga vendet anëtare të BE-së në Shqipëri dhe në Bosnjë–Hercegovinë për vlerësimin e përparimit të bërë lidhur me Bllokun 1, ndërsa misionet e tjera të vlerësimit do të dërgohen në fillim të vitit 2010. Me plotësimin deri atëherë të të gjitha kërkesave nga ana e Shqipërisë dhe Bosnjë – Hercegovinës, qytetarët e tyre do të mund të përfitojnë nga lëvizja pa viza, duke filluar nga muaji korrik 2010”, - pohon ESI.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›