I humbin paratë mbi banak, denoncon si grabitje
Policia nis verifikimet mbi ngjarjen ndërsa pohohet se e dëmtuara nuk ka dhënë kallëzim
TIRANË- Shitësja denoncon vjedhjen në dyqan pas humbjes së parave. Policia nis verifikimin, ndërsa dyshohet se gruaja ka harruar paratë mbi banakun e dyqanit të rrobave të fëmijëve. Ngjarja ndodhi dje pasdite në bulevardin "Bajram Curri" në kryeqytet, kur një grua shitëse në një dyqan aty ka njoftuar policinë se i kishin grabitur çantën.
Ndërkaq sipas të dhënave të policisë dyshohet se ngjarja nuk ka qenë grabitje por vjedhje për shkak se pronarja kishte harruar paratë mbi banakun e dyqanit, por kur ka hyrë një klient i ri ajo nuk ka arritur të marrë vesh se ku ishin paratë dhe cili mund t'i kishte marrë. Gruaja ka prenteduar fillimisht se paratë mund të ishin vjedhur nga dy persona që kishin hyrë në dyqan duke e vjedhur me dhunë.
Pas lajmërimit të policisë, në vendin e njoftuar kanë mbërritur një patrullë dhe një oficer rendi i zonës, të cilët i kanë marrë gruas një deklarim mbi rrethanat e ngjarjes për të nisur hetimin e ngjarjes dhe zbardhjen e saj.
Fillimisht gruaja nuk ka pranuar të japë kallëzim për punonjësit e policisë së komisariatit nr.2, por më pas ajo ka pranuar të rrëfejë se si i kishin humbur paratë. Sipas rrëfimit të gruas, pronare e dyqanit, paratë mund të ishin vjedhur me dhunë nga dy të rinj, ndërs më pas gruaja ka pohuar se paratë i kishte lënë në një karrocë mbi banak, ndërsa po i shërbente një klienti.
Sipas burimeve të policisë, huma e pretenduar nga gruaja se mund të ishin vjedhur shkonte në rreth 50 mijë lekë të vjetra ndërsa spas saj paratë ishin pjesë e xhiros ditore që ajo kishte mundur të fitonte gjatë të enjtes.
Pas marrjes së deklarimit të shitëses, policia ka nisur verifikimet e saj ndërsa është interesuar për të ditur më tepër mbi të dhënat dhe përshkrimin e personave që kishin qenë në dyqan afërsisht në kohën që ajo kishte identifikuar vjedhjen e dyqanit. Pasi ka marrë të dhënat që kërkonte nga e dëmtuara, policia ka administruar materialet përkatëse.
Ndërkaq sipas burimeve të komisariatit nr.2, nëse gruaja do të bëjë kallëzim, ata do të kryejnë veprimet e tyre hetimore për të zbardhur ngjarjen dhe për të identifikuar autorët e mundshëm të saj. Ngjarja fillimisht u mendua si një grabitje me dhunë që mund të ishte kryer së paku nga dy të rinj, në dyqanin që ndodhet në bulevardin "Bajram Curri", por në fakt më vonë policia mësoi se ajo ishte vetëm një humbje parash.