E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, dorëzohet raporti i dytë për udhërrëfyesin

Autori i Lajmit: Suela Topi
Detyrimet

Është dorëzuar raporti i dytë për plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga Udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Ai përfshin një skanim të situatës dhe kushteve të plotësuara sipas katër blloqeve të udhërrëfyesit. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, pasi komunikoi këtë lajm, pohoi se raporti u miratua në mbledhjen e radhës së Komitetit Ndërministror për liberalizimin e vizave, të zhvilluar ditën e mërkurë dhe përfshin një skanim tërësor të shkallës së përmbushjes së detyrimeve. Sipas tij, përgatitja e këtij dokumenti është bërë me përgjegjësinë më të lartë, jo vetëm me evidentimin e arritjeve të 6 muajve të fundit, por dhe me angazhimin për përmbushjen brenda afateve të përcaktuara të gjithë listës së veprimeve të kërkuara nga Udhërrëfyesi i Komisionit Evropian.
Konferenca
“Sot, Ministria e Punëve të Jashtme dorëzon raportin e dytë për plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Raporti u miratua dje në mbledhjen e radhës së Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave dhe përfshin një skanim tërësor të shkallës së përmbushjes së detyrimeve për të katër blloqet e këtij udhërrëfyesi: siguria e dokumenteve, kufijtë, azili, migracioni, siguria dhe rendi publik si dhe marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore të njeriut”, - tha Meta. Sipas tij, përgatitja e këtij dokumenti është bërë me përgjegjësinë më të lartë, jo vetëm në evidentimin e arritjeve të 6 muajve të fundit, por edhe në angazhimin për përmbushjen brenda afateve të përcaktuara të gjithë listës së detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian. “Do të ishte në interes të vendit që në këtë proces të rëndësishëm të përfshihej edhe opozita, kontributi i së cilës nuk duhet të mungojë dhe do të jetë i vlerësuar në përmbushjen e detyrimeve të kërkuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, - tha Meta. Ai pohoi se Qeveria ka shprehur vendosmërinë e saj për të realizuar në një kohë sa më të shpejtë të gjitha detyrimet e kërkuara që do të bëjnë të mundur që qytetarët tanë të fitojnë një aspiratë shumë të rëndësishme, atë të liberalizimit të vizave me BE. Dy ditë më parë, Komisioni Evropian rrëzoi kërkesën e eurodeputetes Tania Fajon për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në grupin përfitues të heqjes së regjimit të vizave. Sipas përfaqësueses së KE-së për çështjet e brendshme dhe drejtësinë, Dafne Gogou, Shqipëria ka ende një listë të tërë kriteresh për të përmbushur para se të aprovohet liberalizimi i vizave. “Vlerësimi tregoi se kishte ende shumë pika kyçe që këto dy vende duhet të zbatonin. Nuk është fjala vetëm për pasaportat biometrike, më lejoni t ju tregoj se në të katër blloqet e udhërrëfyesit është një listë e tërë me kriteret që mbeten për t u përmbushur. Pasaportat biometrike është veç kriteri më i dukshëm”, - ka deklaruar Gogou. Komisioni Evropian në mes të tetorit do të verifikojë në terren raportimin e bërë javën e kaluar nga Serbia dhe Mali i Zi për përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit. Në këtë kuadër, një grup ekspertësh do të verifikojnë dhe funksionimin e kufirit Serbi-Kosovë. Komisioni ishte në pritje të raportit të dorëzuar dje nga autoritetet shqiptare lidhur me kushtet e plotësuara.
Ky lajm është publikuar: 02/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›