E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nuk paguajnë gjobat, u bllokohet makina

Autori i Lajmit: red.
Forcohen masat e Policisë Rrugore ndaj shkelësve të rregullores. Përveç gjobave për mosmbajtje të rripit të sigurimit apo shkeljes së semaforit, policia do të bllokojë çdo mjet që ka kaluar datën për të paguar gjobën. Vetëm dje janë bllokuar 80 mjete në Tiranë, drejtuesit e të cilave nuk kishin paguar gjobat.
Drejtoria e Policisë së Tiranës u bën thirrje debitorëve të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare, për të paguar detyrimet, në rast të kundërt, ata do të ndëshkohen deri në bllokimin e mjeteve. Kështu, vetëm gjatë ditës së djeshme Policia Rrugore ka ushtruar kontrolle dhe ka marrë masa ndëshkuese duke pezulluar për mosshlyerje të detyrimeve 510 leje qarkullimi të mjeteve dhe janë bllokuar 80 automjete të atyre drejtuesve që nuk kanë shlyer detyrimet që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. “Drejtuesve të automjeteve, pas shlyerjes së detyrimeve, u janë dhënë automjetet. Policia e Tiranës do të vazhdojë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës”, - thuhej në deklaratën e Policisë së Tiranës, lëshuar ditën e djeshme. Kështu, vetëm dje në qarkun e Tiranës janë vendosur 1801 gjoba me vlerë 1.967.2500 lekë, ndërsa janë pezulluar 6 leje drejtimi.
Ky lajm është publikuar: 02/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›