E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: “Pushteti vendor, Pimemonti një shembull pozitiv”

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një takimi të enjten me kryetarin e Bashkisë së Torinos, Serxho Champarino, u shpreh për nxitjen e bashkëpunimit mes pushtetit vendor në Shqipëri dhe strukturave homologe në Itali. Kreu i Shtetit, pasi vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, nënvizoi rëndësinë e veçantë që mbart bashkëpunimi mes pushteteve vendore dhe strukturave përkatëse të tij. Ai vuri në dukje se përvoja e autoriteteve vendore të një rajoni kaq të zhvilluar si Piemonti, është një referencë pozitive, me interes dhe një kontribut e ndihmesë për strukturat e pushtetit tonë vendor në ushtrimin e kompetencave të tyre dhe realizimin e reformave të rëndësishme. Presidenti Topi u ndal dhe në rëndësinë e zbatimit të planeve konkrete të bashkëpunimit në fusha të caktuara, ku nënvizoi angazhimin e tij për nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm midis Universitetit Politeknik dhe atij të Studimeve të Torinos dhe Universitetit të Tiranës, fakulteteve të Mjekësisë Veterinare të Torinos dhe atij të Kamzës. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Torinos, Serxho Champarino, në kuadër të rritjes së bashkëpunimit dhe mundësive të investimeve nga Piemonti jo vetëm në nivel vendor, por edhe më gjerë, theksoi rëndësinë e projekteve konkrete të bashkëpunimit mes Dhomave reciproke të Tregtisë, mes universiteteve përkatëse, mes sipërmarrësve italianë dhe atyre shqiptarë, mes strukturave të pushtetit vendor, etj.
Ky lajm është publikuar: 02/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›