E Diel, 1 Nëntor 2026

Vaji i rrezikshëm, verifikim ngarkesave që kanë hyrë në tregun tonë



KORÇË – Fill pas dhënies së alarmit për vajin kancerogjen të zbuluar në Greqi, autoritetet doganore të pikës së Kapshticës kanë nisur verifikimin e të gjitha ngarkesave të këtij malli që kanë hyrë në territorin tonë gjatë muajve të fundit. Deri tani mendohet se “Manos S.A.”, firma e bllokuar në Greqi për tregtimin e produktit të kontaminuar, mund të ketë futur në tregun tonë rreth 50 tonë vaj luledielli. Burimet zyrtare të policisë së Korçës bëjnë të ditur se dokumente të shumta janë bllokuar pranë kësaj dogane, ndërsa janë nisur me urgjencë drejt kryeqytetit në dispozicion të grupit hetimor të ngritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Vaji grek i përzierë me lubrifikantë dyshohet të jetë futur edhe në tregun shqiptar, ndërsa zbardhen dy ngarkesat e fundit që kanë hyrë në Shqipëri nga rafineria e Volosit në Greqi; njëra prej të cilave është një javë më parë. Kështu, gjatë së shtunës policia e Korçës ka nisur hetimet lidhur me vajin grek të lulediellit që ka hyrë nga pika doganore e Kapshticës me destinacion tregun shqiptar. Burimet shtojnë se në tregun shqiptar kanë hyrë tonelata me vaj luledielli nga firma të ndryshme. Madje, ka dyshime se edhe firma greke “Manos S. Afakti” që doli se kishte ngarkesa vaji të kontaminuar, ka futur mall përmes pikës së Kapshticës, por që zhdoganimi i mallit mund të jetë bërë në Tiranë. Sipas të dhënave, dyshohet se ka qenë një sasi prej 50 tonësh që ka hyrë në vendin tonë. Përveç “Manos S.A.” është edhe firma “Dessina Ballkan”, e cila ka importuar vaj nga shteti fqinj gjatë 6 muajve të fundit. Verifikimet e dokumentacionit doganor për mallrat e importuara do të nxjerrin të dhëna të plota nëse ka hyrë në vendin tonë vaji i kontaminuar, i cili rrezikon seriozisht jetën e konsumatorëve.

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›