E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi i vizave, konfirmon ministri i Jashtëm Ilir Meta. Shqipëria e vendosur të plotësojë kushtet

“Nuk arrij ta kuptoj që opozita e Edi Ramës do të protestojë kundër lëvizjes së lirë”


Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta ka dalë dje në një deklaratë për shtyp ku ka bërë të ditur objektivat e përmbushura dhe ato që pritet të realizohen me qëllim liberalizimin e vizave. Meta ka cituar katër blloqet e udhërrëfyesit të BE-së që duhet të përmbushi qeveria. “Siguria e dokumenteve për kufijtë, azili, emigracioni, siguria e rendit publik si dhe marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore të njeriut, janë disa nga shkallët e këtij udhërrëfyesi. Përgatitja e këtij dokumenti është bërë me përgjegjësinë më të lartë jo vetëm me evidentimin e arritjeve të gjashtë muajve të fundit por edhe me angazhimin e përmbushjeve brenda afateve të përcaktuara listës së detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian”, deklaroi Meta. Ai u shpreh se do të ishte në interes të këtij procesi dhe të vendit që të mos mungonte të jepte kontributin e saj në të gjithë këtë proces edhe opozita. “Edhe dje qeveria shprehu vendosmërinë e saj për të realizuar në një kohë sa më të shpejtë të gjitha detyrimet e kërkuara që do të bëjnë të mundur që qytetarët tanë të fitojnë një aspiratë shumë të rëndësishme atë të liberalizimit të vizave të BE-së”, tha më tej Meta. I pyetur se cila janë detyrimet që i mbeten ende për të përmbushur palës shqiptare në drejtim të liberalizimit të vizave, ministri Meta u shpreh se: “Do dalë në shesh kundër liberalizimit të vizave? Nuk e besoj. Të gjitha realizimet dhe arritjet e këtyre 6 muajve, kanë të bëjnë me katër blloqet e këtij udhërrëfyesi që unë i përmenda edhe më lart. Ndërkohë që Komiteti Ndërministror ka vendosur afate të qarta përshpejtuese edhe për të gjitha ato aspekte të cilat do të vijojnë të përmbushen ditët, javët dhe muajt e ardhshëm”. Duke vijuar më tej se jemi tërësisht të bindur që qeveria do t’i plotësojë të gjitha detyrimet e kërkuara, ashtu sikurse jam i bindur që ky objektiv madhor i kësaj qeverie do të realizohet në kohën e premtuar. Ndërsa pyetjes që ndërkohë presim përgjigje për liberalizimin e vizave, opozita do të dalë në protestë në rrugë. Dhe a ndikon kjo protestë në çështjet e integrimit të Shqipërisë, Ministri i Punëve të Jashtme Meta tha se, “Shqipëria është një vend demokratik dhe opozita padyshim që është e lirë të bëjë dhe protesta demokratike, pasi në vendet demokratike këto gjëra ndodhin. Të bësh një protestë kundër liberalizimit të vizave, të bësh një protestë kundër integrimit evropian, unë këtë nuk arrij dot ta kuptoj”. Duke theksuar më tej se ndërkohë që qeveria ka shprehur vullnetin maksimal për të përmirësuar më tej standardet e zgjedhjeve të cilat u vlerësuan me shumë objektivitet nga faktorët ndërkombëtarë dhe natyrisht, ne jemi të vendosur për të arritur standardet më të larta të vendeve më të zhvilluara të BE. Më tej për mbushjen e standardeve Meta theksoi se, “në këtë drejtim, ju e dini shumë mirë, edhe kryeministri Berisha edhe mazhoranca në tërësi, kanë qenë të hapur dhe e kanë ftuar lidershipin e PS të marrë rol drejtues në përmirësimin e mëtejshëm për reformën zgjedhore dhe të kodit zgjedhor. Kjo është një zgjedhje e opozitës që unë tani po e marr vesh si lajm, por është tërësisht e pakuptimtë”. Më tej Ministri shprehet i sigurt se Qeveria do të bëjë detyrën e saj, gjatë gjithë procesit të integrimit evropian, dhe në veçanti për të përmbushur kërkesat e udhërrëfyesit për të siguruar liberalizimin e vizave. Të jeni gjithashtu të sigurt se të gjithë ata që do të përpiqen të vonojnë apo të dëmtojnë këtë proces do të marrin ndëshkimin e qytetarit shqiptar sepse për interesa të ngushta nuk mund të cenohet imazhi i vendit, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›