Liberalizimi i vizave, ngrihen qendrat e pritjes për kthimet e shqiptarëve
TIRANË - Pikëkalimet kufitare në Jug të Shqipërisë kanë instaluar infrastrukturën për unifikimin e kontrollit kufitar shqiptar me atë europian. Në Jug janë ngritur edhe qendrat pritëse për të riatdhesuarit e viktimat e trafikut. Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet teknike në pikëkalimet kufitare dhe është bërë gati për të përfituar liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian. Në pikëkalimet kufitare prej disa muajsh është instaluar infrastruktura teknike-standard TIMS, investim i SHBA-ve dhe Gjermanisë, që unifikon kontrollin shqiptar me atë të vendeve të BE-së sipas parimit “Një kontroll kufitar-doganor-europian në një kalim”.
Kontrolli kufitar
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha inspektoi në fundjavë pikëkalimet kufitare në juglindje të vendit, ku u takua dhe me përfaqësues të Policisë greke. Ministri Basha në Kapshticë theksoi rëndësinë e bashkëpunimit si partnerë të plotë. "Është e rëndësishme që Policia shqiptare e ajo greke të kenë të njëjtat standarde. Për këtë kemi investuar dhe në sisteme të reja fare, të ndërlidhura me Interpolin, siç jeni në dijeni, praktikat më të mira europiane dhe kalimi në kufi ka qenë më i lehtë. Ju kërkoj që ta vazhdojmë këtë deri në përfundim të sezonit". Drejtori i Policisë Kufitare në Jug të vendit, Eduart Caka, pohon se informatizimi, sistemi TIMS, sistemi total i menaxhimit të informacionit është instaluar dhe ka gjithë të dhënat për gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët janë pajisur me pasaporta, po kështu dhe shtetasit e huaj. Testet e këtij sistemi janë verifikuar të suksesshme edhe për faktin se gjatë kësaj vere kontrolleve u janë nënshtruar disa qindra mijëra qytetarë që kanë kaluar nëpër këto pikëkalime.
Lufta ndaj drogës
Prefektja e qarkut Gjirokastër, Mimoza Çomo, si kryetare e Komitetit Shtetëror Antitrafik, thotë se për të rritur performancën gjatë kësaj periudhe është treguar kujdes në luftën ndaj fenomenit të trafikut të drogës e qenieve njerëzore në krejt brezin kufitar me Greqinë, dhe kjo është arritur krahas modernizimit të infrastrukturës kufitare. "Sigurisht, me një bashkëpunim midis dy zonave, midis dy shteteve, që do t'i përcaktoja se kanë ndihmuar më së miri në rrugët e minimizimit të këtij fenomeni. Sigurisht, në të gjitha rastet toleranca do të jetë zero".
Qendrat pritëse
Pjesë e këtij procesi përgatitor për liberalizimin e vizave është dhe sjellja e autoriteteve shqiptare të policisë dhe masat konkrete me shtetasit e deportuar dhe riatdhesimin, sidomos rehabilitimin e viktimave të trafikut. Për këtë arsye janë ngritur disa qendra pritëse përgjatë kufirit shtetëror me Greqinë. Komandanti i pikëkalimit kufitar në Kakavijë, Gentian Hilla, thotë se këto qendra kanë personel të kualifikuar psiko-mjekësor, jepet asistencë deri në ndjekje të rehabilitimit të personave për ditë e muaj me radhë. Praktika e punës në këto qendra është verifikuar edhe prej specialistëve të seksionit përkatës të Bashkimit Europian. Me këta specialistë është diskutuar rreth procedurave që ndiqen me shtetasit e kthyer e në veçanti me viktimat e mundshme të trafikimit, siç janë femrat dhe fëmijët nën moshën 18 vjeç, thotë Hila. "Ata kanë ardhur, kanë marrë pjesë në procedurat e intervistimit, kanë vëzhguar nga afër të gjitha veprimet e punonjësve të policisë dhe kemi diskutuar për gjithë problemet se çfarë lehtësirash mund të krijojmë e çfarë duhet të përmirësojmë për të realizuar sa më mirë gjithë procedurat e duhura". Me këto masa Shqipëria përmbush detyrimet e kërkuara për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian.
*Marrë nga Dojçe Vele
Basha: Hetim Bollanos, nuk do të tolerohen bllokuesit e rrugëve
VLORË - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka deklaruar se nuk duhet të tolerohet asnjë person që bllokon rrugën, pavarësisht pozitës shoqërore dhe politike që ka ai. Ai ka vënë në vëmendjen e strukturave të Policisë së Vlorës, se kanë mbështetjen e Ministrisë se Brendshme për të ndërhyrë në çdo rast dhe për të çuar para drejtësisë çdokënd që bllokon rrugën. Sipas tij, strukturat e Antiterrorit, jo vetëm në Vlorë, por edhe në qarqe të tjera të vendit, duhet t’i ndjekin këto çështje me përparësi. Basha ka kërkuar të ndalohen jo vetëm ata që bllokojnë rrugën, por edhe frymëzuesit e tyre. “Ju duhet të merrni të gjitha masat që në çdo rast të ndërhyhet me forcën e ligjit dhe përgjegjësit të vihen para ligjit. Nuk mund dhe nuk do të tolerohet asnjë bllokim rruge publike. Nuk mund dhe nuk do të tolerohet asnjë person, i cili merr pjesë apo tenton të marrë pjesë në një veprimtari të tillë. Të vendoset një bashkëpunim sa më i ngushtë me prokuroritë e rretheve, në mënyrë që çdo person i referuar nga ju të ndiqet penalisht deri në vendosjen e tij para drejtësisë dhe marrjen e dënimit që meriton. Policia e Shtetit ka të gjitha mjetet, ka të gjithë përvojën dhe duhet të ketë të gjithë vendosmërinë për të zhbllokuar çdo situatë të tillë. Kushdo që guxon të instrumentalizojë ngjarje kriminale dhe t’i përdorë ato për të justifikuar një veprimtari thellësisht antiligjore, siç është bllokimi i rrugëve, do të marrë përgjigje të merituar, të menjëhershme dhe me fuqinë e plotë të ligjit. Sikundër strukturat Antiterror ta trajtojnë këtë çështje me prioritet si dhe të godasin pa pikë hezitimi për të parandaluar, apo në rastet kur ka ndodhur për të vendosur para drejtësisë personat përgjegjës, duke përfshirë këtu edhe personat frymëzues, pavarësisht pozitës së tyre shoqërore apo politike”, - tha Basha. Ministri i Brendshëm ka vlerësuar në Vlorë punën e bërë për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si edhe ka kërkuar që qarqet e tjera të marrin shembullin nga ky qark përsa u përket aksioneve kundrejt ndotjes akustike.
Ujërat e liqeneve marrin jetën e një të riu dhe të një fëmije
TIRANË - Dy persona, një fëmijë dhe një i ri, janë mbytur dje në ujë duke u freskuar për të larguar vapën e madhe. Burime nga policia kanë bërë të ditur se një 23-vjeçar, banor i rrethit të Pogradecit, është mbytur gjatë paradites së djeshme në liqenin e Ohrit teksa është hedhur në ujë për të notuar. Ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg bregut. Sipas burimeve zyrtare të policisë, viktima është 23-vjeçari Artan Muçollari, banor i fshatit Rrëmenj. Viktima ishte duke bërë një shëtitje me varkë bashkë me vëllanë e tij, ndërsa ka menduar të hidhet në ujë për not, siç bënte zakonisht. Sapo është hedhur në ujë ai është përpjekur të kërkojë ndihmë, por nuk ka mundur të shpëtojë. Edhe përpjekjet e të vëllait kanë rezultuar pa sukses. I riu fatkeq, që nuk mund të fliste dhe të dëgjonte, ka humbur jetën në mënyrë aksidentale teksa mendohet se shkak i mbytjes është bërë pushimi i menjëhershëm i zemrës, pasi uji ka qenë i ftohtë. Vetëm tri javë më parë, një 60-vjeçar është mbytur në liqenin e Ohrit, Pogradec, gati në të njëjtat rrethana. Ndërkaq, një fëmijë 11-vjeçar është mbytur dje në ujërat e liqenit të fshatit Borizanë, komuna Thumanë, Krujë. Policia njoftoi se 11-vjeçari kishte shkuar të lahej në liqenin e fshatit Borizanë së bashku me motrën e tij dhe rreth orës 15:30 ka hyrë në një thellësi rreth 2 metra në liqen ku dhe është mbytur. Ka qenë e motra që ka lajmëruar menjëherë më pas familjarët, të cilët e kanë nxjerrë të vdekur fëmijën nga uji. “Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme rezulton se vdekja është aksidentale”, - thanë gjatë ditës së djeshme burime zyrtare nga Policia e Krujës. Dosja me materialet i ka kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.
Radhë për pasaportat biometrike në Vlorë
VLORË - Në sportelin e shpërndarjes së pasaportave biometrike në Vlorë ka pasur dyndje nga emigrantët, të cilët pa këto pasaporta nuk mund të kthehen në vendet e punës së tyre. Ata janë shprehur se qëndrojnë me orë të tëra në radhë për të marrë dokumentet, por është e pamundur për shkak të radhëve të gjata si dhe mungesës së sporteleve në këtë qytet të madh. Ata shprehen se “dhe kushtet e ambienteve ku ne rrimë në radhë janë jo të përshtatshme”. Pritet dhe në ditët në vazhdim radhë akoma më të gjata si te kartat e identitetit, ashtu dhe në marrjen e pasaportave biometrike.
24 Gusht 2010