Liberalizimi i vizave, pas marrjes së vendimit nga KE, çështja e një date është thjesht teknike
Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme Gazmend Turdiu është shprehur optimist që gjatë verës Shqipëria do të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave. Turdiu thekson se më e rëndësishme është marrja e vendimit për heqjen e vizave dhe më pas caktimi i një date është thjesht një çështje teknike.
Sipas tij, pritet që gjatë prillit të dalë edhe raporti përfundimtar i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë.
Ndërkohë Turdiu ka informuar publikun në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave duke theksuar se shqiptarët do të mund të lëvizin për një afat kohor nga 90-180 ditë në hapësirën “Schengen”, por nuk mund të punojnë në këtë afat kohor. Lëvizjet për punë janë një kategori tjetër vizash, të specifikuara posaçërisht për këtë qëllim.
Heqja e vizave konsiderohet nga të gjithë shqiptarët si një proces jetik, për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Për herë të parë në historinë e tyre, shqiptarët do kenë mundësinë përpara verës së këtij viti, të udhëtojnë lirshëm në mbarë hapësirën e Bashkimit Evropian.