E Diel, 1 Nëntor 2026

“Liberalizimi i vizave, plotësoni kushtet”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Shqipëria, siç e kemi thënë edhe herë të tjera, duhet të vazhdojë reformat e qëndrueshme dhe të bindshme në zbatimin e MSA-së dhe në reformat kyçe politike. Dua t`i referohem në veçanti nevojës për të vazhduar përpjekjet e qëndrueshme për Reformën Zgjedhore, Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, ndaj së cilës tashmë janë marrë një sërë masash”

Komisioni Evropian i rekomandon Shqipërisë që reformat më të rëndësishme në vend të realizohen vetëm pas arritjes së konsensusit politik. Ky mesazh është përcjellë dje nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pier Mirel, gjatë një takimi që ai zhvilloi dje me kryeministrin Sali Berisha. Mirel theksoi se vetëm me dialog Shqipëria dhe mbarë rajoni mund të integrohen në strukturat evropiane. Diplomati premtoi se gjatë viteve të ardhshme, Bashkimi Evropian do të japë 200 milionë euro vetëm për Shqipërinë. Ndërkohë që lëvizja e lirë e shqiptarëve, e diskutuar dje mes Mirel dhe Berishës, vazhdon të mbetet pa afat. Drejtori për Zgjerimin e KE-së tha se udhëzuesi është pak a shumë një listë kushtesh që duhet përmbushur, sepse heqja e obligimit të vizave nuk ka për shtysë një kalendar, por ka reformat. Sipas tij, gjithçka varet nga Shqipëria. Ndërsa kryeministri Berisha në deklaratën e tij shprehu mirënjohje për ndihmën e shkëlqyer që Komisioni Evropin i ka dhënë Shqipërisë. Sipas tij, prej vendosjes së sistemit demokratik dhe deri tani, KE i ka akorduar Shqipërisë 1 bilion euro. Ndërkohë që 200 milionë euro janë në procedim. Kryeministri siguroi se Qeveria është e vendosur të vazhdojë me reforma konsensuale.
Takimi
Gjatë takimit që zhvilloi me Kryeministrin, Mirel ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori i Delegacionit të KE-sё nё Shqipëri, Helmuth Lohan. Drejtori për Zgjerimin në KE vlerësoi dje se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit përbën një bazë të fuqishme për vazhdimin e rrugës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, implementimi i MSA-së, ka luajtur rol në rritjen e nivelit të investimeve të huaja direkte. “Shqipëria, siç e kemi thënë edhe herë të tjera, duhet të vazhdojë reformat e qëndrueshme dhe të bindshme në zbatimin e MSA-së dhe në reformat kyçe politike. Dua t`i referohem në veçanti nevojës për të vazhduar përpjekjet e qëndrueshme për Reformën Zgjedhore, Reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, ndaj së cilës tashmë janë marrë një sërë masash”, - tha ai. Lidhur me klimën e biznesit, Mirel theksoi nevojën për zgjidhjen e çështjes së të drejtës së pronës, me qëllim rritjen e mëtejshme të investimeve, ndërsa theksoi se thelbësor është konsensusi politik për reformat politike prioritare. Ai theksoi se vetëm nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit, Shqipëria dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit mund të ndërmarrin dhe realizojnë reforma konsensuale, të cilat do të jenë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme.
Vizat
Drejtori për Ballkanin në KE, Pierre Mirel, deklaroi dje në prani të kryeministrit Berisha se liberalizimi total i vizave varet plotësisht nga sjellja e politikës shqiptare. “Udhëzuesi është pak a shumë një listë kushtesh që duhet përmbushur. Pra heqja e obligimit të vizave nuk ka për shtysë një kalendar, por ka reformat”, - tha Mirel. Ai theksoi se qeveria shqiptare duhet të punojë shumë për plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, çka do ta ndihmonte KE-në t`u rekomandojë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, liberalizimin e vizave me Shqipërinë. “Për këto çështje dhe çështje të tjera ne do të garantojmë fondet e mjaftueshme nëpërmjet Instrumentit të Paraaderimit. Rreth 200 milionë euro do të jepen gjatë 3 viteve të ardhshme dhe jam shumë i kënaqur të theksoj se këto do të jenë fonde që do të jepen si grante nga vendet e Bashkimit Evropian”, - tha ai. Drejtori për Zgjerimin në KE vlerësoi dhe rolin e moderuar të Shqipërisë në rajon, në veçanti rolin e saj konstruktiv për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kreu i Qeverisë shqiptare pohoi pas takimit se zhvillimet e deritanishme provojnë se shqiptarët janë të përcaktuar për konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së lirë të tregut. “Nga ana tjetër, shfrytëzova rastin për t i shprehur mirënjohjen më të thellë Komisionit Evropian, i cili gjatë këtyre 18 viteve i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndihmë të jashtëzakonshme. Ndihmat e KE-së për Shqipërinë dhe shqiptarët kanë tejkaluar prej vitesh 1 miliard euro dhe 200 milionë të tjera janë në proces. Pa këtë ndihmë, solidaritet dhe bujari, Shqipëria nuk do të mund të ishte kjo që është sot”, - tha Berisha. Lidhur me çështjen e reformave, ai theksoi se mazhoranca është e vendosur të punojë me opozitën për Reformën Zgjedhore. “Ekspertët tanë kanë kontakte të vazhdueshme dhe unë jam i bindur se ata do të gjejnë gjuhën e përbashkët për t i dhënë bazën më të mirë ligjore procesit zgjedhor, ashtu sikurse e gjetën për ndryshimet kushtetuese dhe për të lënë mbrapa Dushkun”, - tha ai. Mirel zhvilloi dje dhe një takim me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha.
Ky lajm është publikuar: 10/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›