E Diel, 1 Nëntor 2026

PS bën publike projektligjin

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste bën publik draftin për dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar nga problemi i farës së misrit. Kreu i kësaj partie pohoi dje se fermerët e dëmtuar duhet të dëmshpërblehen sipas fitimit që do të arrinin me çmimet e tregut. “Masa e dëmshpërblimit, e cila e përsëris, duhet të jetë e barabartë me fitimin e munguar apo fitimin e pritshëm dhe duhet të llogaritet në bazë të sasisë së farës së blerë, sasisë së tokës së mbjellë, shpenzimet e domosdoshme e të nevojshme për kultivim, dhe rendimentin bujqësor i pritshëm është detyrim i Kryeministrit dhe i qeverisë së tij. Evidentimi i dëmshpërblimit duhet të kryhet duke filluar nga një procedurë vetëdeklarimi”, - deklaroi Rama. PS tashmë ka vënë në dispozicion të qytetarëve të dëmtuar dy numra telefoni dhe, sipas kreut të selisë rozë, vetëm për një mbasdite janë bërë afro 100 telefonata nga Dibra, Elbasani, Fieri, Tirana, Kukësi dhe Berati. Pavarësisht kësaj situate të rënduar, sipas Ramës, Qeveria vazhdon të heshtë, ndërsa Kryeministri vazhdon paradën e tij të shëmtuar për vepra të pambaruara, apo të cunguara nëpër fshatra dhe hesht për bukën e gojës të mijëra familjeve, që janë dëmtuar drejtpërdrejt për shkak të qeverisjes dhe nga një kompani që sot ka një monopol me rrënjë politike në treg. “Partia Socialiste ka gati një projektligj për Kuvendin e Shqipërisë, që mbështet në nenin 44, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ky nen thotë se çdo qytetar ka të drejtën të dëmshpërblehet për çdo dëm që vjen si pasojë e shkeljes së ligjit, e veprimit dhe mosveprimit nga ana e qeverisë. Jemi në kushtet kur neni 44 i Kushtetutës dhe kur përgjegjësia e drejtpërdrejtë e qeverisë, e kryeministrit Sali Berisha, e Ministrisë përkatëse të Bujqësisë, nuk mund të mos adresohet, për zgjidhjen e problemit të këtyre njerëzve përmes një dëmshpërblimi të ligjshëm, që duhet të përcaktohet me ligj”, - theksoi ai. Rama tha se PS do ta depozitojë këtë projektligj shumë shpejt në komisionin përkatës dhe ai duhet të shqyrtohet po me aq urgjencë në seancë plenare për t u kthyer më pas në një detyrim për qeverinë.

Ky lajm është publikuar: 10/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›