Libi, Gaddafi me raketa “Scud”, mbron Tripolin

Forcat besnike të kolonelit Muamar Gaddafi kanë përdorur për herë të parë në konfliktin e tyre, raketa të tipit “Scud”. Zyrtarët amerikanë të Mbrojtjes kanë thënë se një raketë e tillë është lancuar nga Sirte, duke pasur në shënjestër Bregan, aktualisht në duart e kryengritësve. Forcat e kolonelit besohet se kanë në arsenalin e tyre mbi 200 raketa "Scud".
Lajmi mësohet pikërisht, kur kryengritësit vazhdojnë të avancojnë drejt kryeqytetit Tripoli. Zëdhënësi i kryengritësve, Ahmed Bani, ka thënë se përdorimi i raketave "Scud"` është një shenjë dëshpërimi nga udhëheqësi libian. “Ai njeri do të përdorë çdo armë të nevojshme për të mbajtur në këmbë regjimin e tij dhe për të marrë serish komandën, qoftë edhe për pak orë”, u shpreh Bani.
Raketat “Scud” janë zbuluar nga trupat amerikane, të cilat kanë bërë të ditur se ato ishin lancuar mëngjesin e së dielës dhe kishin rënë në shkretëtirë, rreth tetëdhjetë kilometra larg portit strategjik të Bregas. Raketat “Scud” kanë një rreze veprimi prej 500 kilometrash dhe mund të bartin mbushje deri në një tonelatë.