E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ shqyrtoi dje mbi 30 ankimime të partive politike për procesin zgjedhor

25-05-2011 / Gazeta 55

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e tij të radhës dje, shqyrtoi ankimimet e partive politike në lidhje me procesin zgjedhor të 8 majit.
Në rendin e ditës së mbledhjes së djeshme, KQZ-ja shqyrtoi një sërë ankesash të subjekteve të ndryshme politike dhe kandidatëve të cilët garuan në zgjedhjet lokale të 8 majit.
Partia Demokratike kishte bërë ankimim, ku i kërkonte KQZ-së që të shpallë të pavlefshme zgjedhjet për QV-në 0001, në komunën Gruemirë. Gjithashtu, PD kishte shprehur kundërshtimin e saj të vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për kryetar në komunën Gruemirë.
Mazhoranca kishte depozituar në KQZ kundërshtimin e vendimit të KZAZ në lidhje me tabelën përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjet për kryetar të komunës Qukës, qarku Elbasan. Partia Demokratike kundërshton rezultatet e pasqyruara në tabelat, dhe kërkon nga KQZ rinumërim dhe rivlerësim të votave për disa QV në zgjedhjet për kryetarë në komunën Fshat-Memaliaj, qarku i Gjirokastrës. Në kërkesën e saj, PD i kërkon KQZ-së “shpalljen e pavlefshmërisë të zgjedhjeve në QV 4351 të kësaj njësie vendore”. 
Gjatë pasdites së djeshme, në mbledhjen e radhës, KQZ-ja shqyrtoi disa çështje të shtyra për shkak të procesit të 6-ditor të numërimit të fletëve të votimit, të cilat ishin kontestuar nga 9 KZAZ në Tiranë, që ishin hedhur aksidentalisht në kutitë e gabuara. Anëtarët kanë shqyrtuar dje pasdite plot 23 kërkesa ankimore të paraqitura jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga kandidatë të pavarur, të cilët kanë garuar jashtë dy koalicioneve të mëdha. Edhe mbledhja e pasdites ishte një fotokopje e asaj të paradites sa i përket pamjeve jashtë KQZ-së. Protestuesit opozitarë nuk u mblodhën as pasdite në sheshin para KQZ-së. 
Në ndryshim nga ditët e kaluara, jashtë godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vihej re edhe dje prezenca e një sërë forcash policie, pavarësisht se situata jashtë KQZ-së ishte krejtësisht e qetë, pasi nuk u zhvillua asnjë protestë nga ana e opozitës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›