Libia, Ban Ki Moon: Kryengritësit t`i përkushtohen unitetit kombëtar
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Mun i bëri thirrje sot liderëve të kryengritësve në Libi, që t`i përkushtohen unitetit dhe pajtimit kombëtar.
Ban nëpërmjet një bisede telefonike i ka transmetuar shqetësimin e tij liderit të Këshillit tranzitor kombëtar, Mustafa Abdel-Xhalil.
Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Farhan Hak, sipas të cilit, Abdel-Xhalil sekretarit të përgjithshëm i ka dhënë bindje se opozita e re në mënyrë serioze do të merret me këtë çështje dhe e theksoi rëndësinë e përkrahjes së KB-së në Libinë e pasluftës. Por përfaqësuesi libian në OKB Ibrahim Dabashi, deklaroi në të njëjtën kohë se opozita në tërësi e kontrollon kompleksin presidencial të Gadafit në Tripoli dhe shtoi se e tërë Libia "do të lirohet në afat prej tre ditëve"
Ndërkohë nga ana tjetër Kina ka bërë thirrje për një pajtim politik në Libi duke theksuar se Kombet e Bashkuara duhet të luajnë rolin udhëheqës në rindërtimin e vendit të goditur. Ministri i Jashtëm i Kinës, është shprehur se me rrezimin e regjimit të Muhamer Gadafi, OKB-ja, duhet ta ketë priroritet dhe detyrë urgjente rindertimin e ketij vendi.
Jang tha se OKB-ja duhet të marrë rolin udhëheqës në marrëveshjet pas konfliktit, duke bashkëpunuar me Ligen Arabe, Bashkimin Afrikan dhe organizatat e tjera rajonale.