Kosovë, Limaj paraqitet në gjykatë

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës njëherësh dhe nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga avokati Tomë Gashi, u paraqit mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për seancën e aktakuzës "për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës", të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Seanca kundër ish-komandantit të UÇK-së, "Çelikut", është caktuar nga një gjyqtar i EULEX-it për 24, 25 dhe 26 gusht. Limaj dhe nëntë ish-pjestarë të tjerë të UÇK-së akuzohen për kryerjen e krimeve në Kleçkë të Malishevës.
Seanca për konfirmimin e aktakuzës është caktuar të mbahet një muaj pasi prokurori italian, Maorizio Salustro e ka ngritur aktakuzën.
Fatmir Limaj, i njohur gjatë luftës me nofkën Komandant Çeliku ka pohuar se nuk ndjehet fajtor lidhur me akuzat e ngritura kundër tij dhe se ai këtë e ka quajtur si një fushatë kundër personalitetit dhe familjes së tij.
Limaj ka nënvizuar se gjatë periudhës kur akuzohet, dhe konkretisht gjatë muajit prill 1999 ai ka qëndruar në Shqipëri dhe jo në Kosovë.