Libraritë maqedonase shesin enciklopedinë për 200 euro
Enciklopedia maqedonase nuk është hequr akoma nga qarkullimi, dhe për më tepër vazhdon të shitet nëpër libraritë e Maqedonisë më një çmim tepër të lartë, prej 12 500 dinarësh (200 euro).
Historiani Nebi Dervishi e ka blerë enciklopedinë ditën e martë në një librari në qendër të Strugës, në shëtitoren e Qytetit. "I bleva dje të dy vëllimet me 12 500 dinarë. Megjithëse e kisha në DVD, e bleva dhe kështu, sepse është më e përdorshme", deklaroi Dervishi.
Historiani shqiptar është i sigurt se Enciklopedia shitet nëpër të gjithë Maqedoninë dhe kurrë nuk është hequr nga qarkullimi. "Kam informata të sigurta, se pesë mijë ekzemplarë janë shpërndarë falas nëpër institucionet maqedonase, dhe jo rastësisht i kanë vënë këtë çmim të lartë. Ndava nga rroga dhe e mora", thotë Dervishi, duke shtuar se Qeveria maqedonase nuk është e disponuar për të nxjerrë Enciklopedinë e Maqedonisë, pasi kjo që tashmë shitet është enciklopedi maqedonase.