E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali i Bin Ladenit: Babi im fitoi kundër SHBA-së

"Osama Bin Laden nuk ka nevojë që të organizojë sulme të tjera të mëdha, pasi ai ka fituar tashmë". Për këtë është i bindur Omar, djali i katërt i sheikut të terrorit. "Në momentin që vetë Shtetet e Bashkuara hodhën këmbët në Afganistan, babai im fitoi", shprehet Bin Laden Xhunior në një intervistë për revistën "Rolling Stone".
"Në Afganistan, perëndimi nuk mund të fitojë dhe Presidenti amerikan Obama ka bërë gabim që ka dërguar akoma edhe më shumë trupa ushtarake. është si t'i hedhësh ujë rërës së shkretëtirës, siç thuhet në botën arabe. Kjo e bën edhe më të rëndë çështjen. Nëse unë do të ndodhesha në të njëjtën situatë, do të kisha kërkuar një marrëveshje paqeje. Në këtë mënyrë, për gjashtë muaj apo një vit nuk do të kishte luftë. Afganistani nuk dorëzohet dhe nuk mundet. Kjo nuk ka të bëjë me tim atë, por me popullin afgan", ka thënë i biri i numrit një të Al Kaedës. Omar bin Laden, i cili është martuar në vitin 2007 me një shtetase britanike të konvertuar në myslimae, shpjegon se situata mundet që vetëm të përkeqësohet, edhe nëse Bin Laden vritet. "Bota do të bëhet shumë më e rrezikshme, do të jetë një katastrofë", tha ai, duke shtuar se i ati i tij vret vetëm atëherë kur mendon se është e nevojshme. "Ai ka një objektiv fetar dhe është i përkushtuar ndaj rregullave të Xhihadit", përfundon në intervitën e tij, Omar Bin Laden, njëri nga 11 fëmijët e kreut të Al Kaedës, Osama Bin Laden.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›