Josipoviç: Serbia e humbi Kosovën shumë para pavarësisë së saj
Presidenti i sapozgjedhur i Kroacisë, Ivo Josipoviç, ka deklaruar se "rrota e historisë" nuk mund të kthehet mbrapa dhe se Serbia e ka humbur Kosovën shumë përpara pavarësimit formal të saj.
Duke komentuar deklaratën e paraardhësit të tij, Stipe Mesiç, se në rast të referendumit për shkëputjen e Republikës Serbe të Bosnjës, Kroacia do të dërgonte ushtrinë të intervenojë, Josipoviç ka thënë se nuk dëshiron t'i komentojë "deklaratat joformale" dhe ka theksuar se, sa i përket atij, për zgjidhjen e problemeve nuk ekzistojnë opsione ushtarake, por vetëm bisedime, marrëveshje dhe zgjidhje të drejta.
Presidenti i ri kroat ka vlerësuar si "absolutisht pozitive" trajektoren e marrëdhënieve Serbi-Kroaci, duke shtuar se politikanët në të dy shtetet duhet të rrezatojnë me mirëbesim dhe optimizëm.