E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librat e rinj, histori rozë dhe aventura

Autori i Lajmit: red.
Në libraritë e kryeqytetit, çdo javë ekspozohen tituj të rinj librash, të cilët sjellin për lexuesit histori të ndryshme, duke filluar që nga romanca dashurie dhe deri tek librat me ngjarje tragjike, por nuk mungojnë dhe botime mbi artin. Libri “Artistë të famshëm modernë” vjen për lexuesit me tregime mbi artin. Libri ka ngjashmëri me një revistë, është botimi më i ri, që ka dalë në qarkullim gjatë kësaj jave. Një libër nga Sharlote Uilard, përkthyer nga origjinali nga Vlash Prifti. Në të paraqiten një sërë pikturash, të artistëve modernë si Çezane, Pikaso, Polok, Dubufet, etj, të cilët kanë bërë zbulime të mëdha në hapësirën e artit. Libri studim “Letër Arnisës për Sabat Zevin” nga Moikom Zeqo është një nga botimet e reja të javës, ku paraqiten tri studime sintezë për figurën e Sabat Zevit, i mbiquajtur Mesia e hebrenjve në shekullin XVII. Për lexuesit e historive rozë vjen libri “Bëmat e Don Zhuanit të ri”, një roman nga Guliem Apoliner, përkthyer nga Leonard Mero. Lexuesit që duan një verë të nxehtë, mund ta shijojnë më së miri me romanin “Bëmat e Don Zhuanit të ri”. Por në botimet e reja vjen dhe historia e vërtetë e një vajze indiane, e cila mbijetoi për vite me radhë në një nga ishujt e Paqësorit. Historia vjen me botimin “Idhulli i delfinëve blu” shkruar nga shkrimtari i njohur amerikan Skot O Dell.
Ky lajm është publikuar: 08/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›