E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret Komandantin e Forcave Aleate në Napoli, Admiralin Mark P. Ficxherald

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në ambientet e Pallatit të Brigadave, Komandantin e Flotës Detare amerikane në Evropë dhe Komandant i Forcave Aleate në Napoli, Admiralin Mark P. Fitxherald. Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen ndaj SHBA-ve për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e transformimeve të saj demokratike, si dhe për kontributin e mbështetjen e vazhdueshme në proçesin e integrimit të Shqipërisë në NATO. “Vendimi i SHBA-së në përkrahje të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë, inkurajon proceset demokratike në Shqipëri, dhe forcon vullnetin e popullit shqiptar për të ndërtuar një shtet të së drejtës, lirisë e të respektit ndërinstitucional, një shtet të aftë për sfidat që i rezervon e ardhmja,”, - theksoi Kryetari i Shtetit, duke dhënë vlerësimin e tij dhe për bashkëpunimin në rritje të Forcave tona të Armatosura me partnerët euroatlantikë dhe duke e siguruar Admiralin Ficxherald se Shqipëria do të jetë një partner tepër serioz, për ta merituar plotësisht e denjësisht anëtarësimin e saj edhe de jure. Duke u ndalur në rolin moderator të Shqipërisë në rajonin ballkanik, gjatë bisedës, Presidenti Topi vuri në dukje se vullnetin maksimal të shtetit shqiptar për bashkёpunimi rajonal dhe realizimin e filozofisë së integrimit rajonal me bindjen se integrimi nё NATO i vendeve tona do tё thotё mё shumё siguri, paqe dhe qëndrueshmëri nё të gjithë rajonin. Këtij qëllimi do t’i shërbente edhe ndërtimi i korridoreve infrastrukturorë si Korridori 8 apo rruga që do të lidhë portin e Durrësit me Kosovën, duke rritur akoma edhe më shumë jo vetëm mirëqenien ekonomike dhe shkëmbimet tregtare, por edhe nivelin e sigurisë rajonale dhe më gjerë. Gjatë takimit u bisedua edhe për Kosovën, për të cilën Presidenti Topi u shpreh se është në rrugën e sigurtë të konsolidimit të institucioneve të saj dhe krijimit të një shteti multietnik, ku respektohen të gjitha të drejtat e pakicave, me synimin e qartë për t’u integruar si në familjen e madhe evropiane, ashtu edhe në strukturat euroatlantike. Nga ana e tij, Admirali Ficxherald shprehu admirim për arritjet dhe sukseset e shënuara nga vendi ynë gjatë viteve të fundit, duke vlerësuar lart rolin e rëndësishëm të Kreut të shtetit gjatë proceseve integruese dhe ruajtjen e ekuilibrave shoqërore dhe garantimin e Kushtetutës e të pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, si edhe për atë rol që ka luajtur e vazhdon të luajë Shqipëria dhe faktori shqiptar, jo vetëm për paqen e qëndrueshmërinë rajonale, por edhe më gjerë. Admirali Ficxherald vlerësoi gjithashtu si sinjale shumë të mira e pozitive edhe reformimin e Forcave të Armatosura shqiptare, punën e suksesshme të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, bashkëpunimin e ngushtë me Aleancën, pjesëmarrjen aktive të forcave të armatosura në misionet paqeruajtëse anembanë botës si në Irak, Afganistan, Bosnje-Hercegovinë, Çad, etj, duke theksuar se: “ne jemi krenarë, që Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe anëtarësimi në të nuk është fundi i rrugëtimit integrues, por vetëm fillimi i tij”. Në përfundim të takimit, Kreu i shtetit shqiptar dhe Komandant i Forcave të Armatosura dha një deklaratë për shtyp së bashku me Admiralin Ficxherald.


Presidenti Topi:


Përshëndetje, Sot pata kënaqësinë e veçantë që të pres në një takim Komandantin e Forcave Aleate të Komandës së Napolit, Admiralin Ficxherald, së bashku me delegacionin me të cilin diskutuam rreth atij partneriteti mjaft solid që ekziston midis Shqipërisë dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, që fillimisht u kurorëzua me marrjen e ftesës për anëtarësim në datën 3 prill të vitit 2008 në Bukuresht dhe pritet të ketë kurorëzimin final në datën 4 prill të vitit në Strasburg. Në emër të shtetit shqiptar e falenderova Admiralin Ficxherald për të gjithë kontributin e tij në forcimin e kësaj marrëdhënieje dhe kontributin e Komandës së Napolit, që i ka marrëdhëniet më nga afër me Shqipërinë me rajonin ballkanik, për kontributin në reformimin e Forcave të Armatosura, për transformimin e tyre dhe të arritjes sa më të shpejtë të atyre standardeve, që detyrimisht kërkon pjesëmarrja si një anëtare me të drejta të plota në NATO. Natyrisht diskutuam dhe për çështje, që janë mjaft sensitive për shoqërinë shqiptare, çështjet e çaktivizimit të municioneve, në mënyrë që ky të jetë një proces konstant, i pandërprerë, i ndjekur në mënyrë profesionale, në bashkëpunim me strukturat e NATO-s dhe në mënyrë që të mos kemi më situata dramatike, që vijnë pikërisht nga ky lloj aktiviteti. Diskutuam dhe për çështje të tjera të stabilitetit rajonal. U ritheksua edhe një herë që stabiliteti i rajonit të Ballkanit është mjaft i rëndësishëm, sepse të kesh sigurinë, të jesh anëtar i NATO-s do të thotë që të kesh edhe mundësi për prosperitet të dukshëm ekonomik. Aleanca e Atlantikut të Veriut është padyshim aleanca e paqes dhe e sigurisë dhe rajoni ynë do të jetë shumë më i sigurtë dhe me më shumë marrëdhënie ekonomike, do të jetë me më shumë prosperitet, do të jetë me më shumë mirëqënie. Unë e garantova Admiralin Ficxherald, që institucionet e Shqipërisë kanë bërë gjithçka dhe do të bëjnë ç’është e mundur që forcimin e ligjit ta kenë të pandarë nga zbatimi i tij, duke i garantuar që qenia anëtare në NATO do të thotë seriozitet maksimal në zbatimin e shtetit ligjor.


Admirali Ficxherald:


Zoti President, Faleminderit shumë që më pritët mua sot dhe ju përgëzoj si ju ashtu dhe Shqipërinë për gjithçka keni bërë për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan! Ka qenë shumë përshtypjelënëse ajo që ju keni bërë si Shqipëri, ashtu dhe me Forcat tuaja të Armatosura për NATO-n. Kontributi juaj në forcat ndërkombëtare në Afganistan, në vende si Iraku, Bosnje-Hercegovinë, ashtu dhe në Mesdhe, gjithashtu dhe pjesëmarrja juaj në misionet e Kombeve të Bashkuara në Gjeorgji dhe në Çad. Që të gjitha këto kanë provuar se Shqipëria është me të vërtetë një anëtare e bashkisë ndërkombëtare. Partneriteti ynë me shtabin tonë të NATO-s këtu në Tiranë, i udhëhequr nga gjenerali Dimitrov, ka qenë kyç në integrimin e Shqipërisë në NATO. Ashtu si e përmendët dhe ju, ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë për eleminimin e municioneve të tepërta dhe gjithashtu do t’ju ndihmojmë për hartimin dhe miratimin e ligjeve të duhura përsa i përket reformës në sektorin e sigurisë. Ju përgëzojmë për përparimin e jashtëzakonshëm që ka shënuar Shqipëria! Ashtu si dhe e diskutuam, hyrja në NATO nuk është një fund, por është një fillim dhe megjithëse ka shumë gjëra të tjera për të bërë, ne do t’i bëjmë këto bashkë si partnerë. Ju falenderojmë për gjithçka që po bëni dhe mezi çpresim të bashkëpunojmë më ngushtësisht edhe në të ardhmen!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›