E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzetë etnografikë, djepi i traditës sonë shekullore

>Kur shtrohet diskutimi për muzetë etnografikë, në mënyrë natyrale mendja shkon të muzeu i mirënjohur etnografik i Krujës dhe ai në Berat. Me ngjashmëri në emër e me karakteristika qartësisht të dallueshme në përmbajtje këto muze përballojnë flukse të larta vizitorësh, përshtypjet e të cilëve janë nga më të mirat. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 Nëntor 1989. Ai është i ndërtuar në një banesë karakteristike qytetare të vitit 1764.  Banesa është monument kulture i kategorisë së parë.  Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale.  Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë.  Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Ndërkohë që në Berat, muzeu etnografik u përurua në vitin 1979. Në të përfshihet kultura popullore etnografike e trevës së Beratit, si edhe ajo e Shqipërisë së Jugut. Muzeu është vendosur në një godinë dykatëshe trishekullore, tipike e trevës beratase. Në katin e parë është ngritur një sallë në të cilën është imituar një rrugicë mesjetare me dyqane tradicionale në të dy anët e saj.  Në këtë sallë është vendosur edhe pavijoni i lashtësisë. Po kështu, në katin e parë janë vendosur objekte që janë përdorur për përpunimin e ullirit. Në katin e dytë ndodhet çardaku i hapur për pritje miqsh. Në këtë kat ndodhen me radhë arkivi, tezgjahu, dhoma e pritjes e fshatit, kuzhina dhe dhoma e pritjes e qytetit. Në mjediset e jashtme të muzeut janë vendosur shumë objekte origjinale, masive dhe funksionale të kulturës sonë popullore.  Aktiviteti i dy muzeve të sipërpërmendur është zgjeruar, duke u bërë së fundmi pjesë e një projekti në kuadër të INTERREG III A Itali-Shqipëri, ku është e mundur të shihen në versionin e tyre online për herë të parë në disa gjuhë (www.cchnet.eu). Muzetë etnografikë në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve gëzojnë mbështetjen e komunitetit, autoriteteve qendrore si dhe stafit të tyre të palodhur që përkujdeset çdo moment për mbarëvajtjen e tyre.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›